Serbët ‘tradhtarë’ të Kosovës, sipas Serbisë
“E keni parasysh një person që ec nëpër tel të hollë dhe që të mos rrëzohet, mban një shkop të gjatë në duar për ta ruajtur baraspeshën? Ndërkohë, teli në të dyja anët vjen duke u holluar edhe më shumë”.
Kështu e përshkruan Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, veprimtarinë e politikanëve serbë të Kosovës, të cilët, siç thotë, nuk mendojnë njësoj si autoritetet e Serbisë dhe as ato të Kosovës.
Në Kosovë, partia më e madhe e serbëve është Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Në dhjetë vjetët e fundit, ajo i ka fituar si zgjedhjet lokale, ashtu edhe ato të përgjithshme.
Rashiq, nga Partia Demokratike Progresive serbe, u emërua ministër pasi paraardhësi i tij nga Lista Serbe dha dorëheqje në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Dorëheqje, në fakt, dhanë të gjithë serbët nga veriu – si nga niveli lokal, ashtu edhe ai qendror i Kosovës – dhe në këtë vendim u mbështetën nga autoritetet në Serbi.
“Çfarëdo që thoni, do t‘ju cilësojnë si tradhtarë”
Rashiq thotë se mendimi i tij politik nuk është i njëjtë me atë të pushtetit në Serbi dhe as të pushtetit në Kosovë. Në këtë pikë, siç thotë ai, gjendet ndërmjet përplasjeve të Beogradit dhe Prishtinës.
“Unë, gjatë gjithë kohës, po përpiqem të jem politikan i moderuar, pikërisht për shkak se neve na duhet, mbi të gjitha, bashkëpunim dhe mundësi për bashkëjetesë. Ne, si serbë vendorë, duhet të jemi pragmatikë, të moderuar dhe tërësisht të përkushtuar për bashkëjetesë me shqiptarët. Duhet ta kuptoni se sa e vështirë dhe komplekse është kjo, sepse çfarëdo që thoni, dikush do t’ju cilësojë si ‘të papërshtatshëm’, ‘të keq’, ‘tradhtar’. Praktikisht, ne e kemi situatën që jemi të refuzuar nga njëra palë dhe jemi të papranueshëm nga pala tjetër”, thotë Rashiq për “Radion Evropa e Lirë”.
Ai nuk sqaron se pse ndihet i papranueshëm në Kosovë.
Pas hyrjes në institucionet e Kosovës, ndaj tij edhe këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, janë bërë deklarata fyese nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai, mes tjerash, ka thënë se Rashiq dhe Trajkoviq “nuk e kanë besimin e askujt në Serbi, por kanë besimin e Albin Kurtit dhe të agjencive perëndimore”.
“Luftë e sinqertë për bashkëjetesë”
Trajkoviq, më 15 dhjetor, është ndaluar nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Merdare.
Duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, ajo thotë se është mbajtur 24 orë në mënyrë të paligjshme, pa ujë dhe ushqim, si dhe pa medikamentet e nevojshme mjekësore.
Ajo e cilëson këtë si hakmarrje të autoriteteve serbe ndaj saj, për shkak se mendon ndryshe nga pushteti në Serbi.
Ministria e Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur interesimit të mëhershëm të Radios Evropa e Lirë në lidhje me këtë rast.
Trajkoviq thotë se veprimtaria e saj politike për një bashkëjetesë normale të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, jo rrallë e nxjerr “mes dy zjarreve”, për shkak të përplasjeve verbale ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës.
“Dhe, pastaj, ata thonë ‘ja, kjo serbja tash dëshiron të bashkëpunojë me ta [me Qeverinë e Kosovës]… Kur ndodh kjo, në njëfarë mënyre, nuk e ndjeni gjithë mbështetjen as nga institucionet në Prishtinë. Normalisht, ato e shfrytëzojnë këtë njësoj, për qëllime politike. Kështu që, një luftë e sinqertë për bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve sikur po e humb vlerën në luftën mediale ndërmjet dy palëve (Kosovës dhe Serbisë)”,thotë Trajkoviq për “Radion Evropa e Lirë”.
Një luftë e sinqertë për bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve sikur po e humb vlerën në luftën mediale ndërmjet dy palëve”
Rashiq dhe Trajkoviq thonë se komentet negative dhe shpeshherë me përmbajtje kërcënuese në rrjetet sociale, të cilat, sipas tyre, pasojnë sa herë që autoritetet e Beogradit flasin kundër tyre, krijojnë një lloj ndjenje të pasigurisë te ta.
Trajkoviq thotë se pasiguria bëhet edhe më e madhe kur kihen parasysh “atentatet që janë bërë gjatë dekadave të fundit” kundër kundërshtarëve politikë të regjimit në Serbi, por nuk specifikon më shumë në lidhje me to.
Të veprosh “ndërmjet dy zjarreve”
Në kuadër të dorëheqjeve kolektive në fillim të nëntorit ishin edhe ato të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i shpalli zgjedhjet në këto komuna për datën 18 dhjetor, por ato u shtynë për në prill të vitit 2023, për shkak të rritjes së tensioneve.
Lista Serbe refuzoi të merrte pjesë në këto zgjedhje dhe tensionet kulmuan me ngritjen e barrikadave në rrugët në veri, të cilat s’u hoqën për gati tri javë.
Lideri i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, fajëson autoritetet e Kosovës që i shtynë zgjedhjet, për shkak se, sipas tij, u humb rasti i mirë që “të hiqet qafe Lista Serbe” si “përfaqësuese e politikës së Beogradit” në Kosovë.
Ai thotë se veprimtaria politike e partisë së tij nuk i përket linjës politike as të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe as të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Në këtë pikë, edhe ai e përshkruan veprimin politik të partisë së tij si “ecje ndërmjet dy zjarreve”.
“Jo vetëm unë, por secili njeri me mendim të lirë politik, ndihet se është ndërmjet dy zjarreve. A e dini pse? Sepse të gjitha gabimet e bëra nga ana e regjimit në Prishtinë dhe nga ana e regjimit në Beograd, në fund, përmirësohen në disa takime të fshehta, në disa vende sekrete, por në dëm të opozitës politike dhe në dëm të qytetarëve. Prandaj, gjithmonë gjendeni ndërmjet dy zjarreve, sepse në Kosovë lejohet gjithçka, në rast se ajo ndihmon ta ruani pushtetin”, thotë Jabllanoviq për “Radion Evropa e Lirë”.
“Nuk na e shtriu dorën asnjëra palë”
Udhëheqësi i këtij subjekti politik, Aleksandar Arsenijeviq, udhëheqës i iniciativës qytetare në Kosovë, Mbijetesa Serbe, thotë se politika aktuale e Beogradit dhe ajo e Prishtinës udhëhiqen nga i njëjti narrativ, pra “nëse nuk je me ne, je kundër nesh”.
Nga këndvështrimi i këtij narrativi, thotë ai, partia e tij duket se është e papërshtatshme për të dyja palët.
“Pesha e kësaj ndjehet mjaft, sepse nuk e kemi dorën e shtrirë nga asnjëra palë, por ato duar janë të ngritura mbi ju – e shpreh këtë në mënyrë metaforike. Çdoherë, ato duar mund t’ju godasin me grushte. Por, sërish, mendoj se ato goditje mund të durohen, nëse keni vullnet të fortë dhe qëllim. Dëshirojmë të ruajmë autenticitetin dhe të jemi zëri autentik, i cili do të flasë për problemet, për të cilat kontribuojnë të dyja palët”, shprehet Arsenijeviq për “Radion Evropa e Lirë”.
“Nëse nuk je me ne, je kundër nesh”
Kurti, qysh në fushatën zgjedhore të vitit 2019, ka paralajmëruar dialog me serbët e Kosovës, duke vlerësuar se një dialog i tillë është më i rëndësishëm se ai që zhvillon Kosova me Serbinë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve.
Në fund të nëntorit, zyrtarë të qeverisë kanë konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se janë duke zhvilluar dialog me serbët lokalë, por “larg syve të publikut”.
Ata nuk kanë dhënë shumë detaje në lidhje me këtë proces, duke thënë se synojnë t’i mbrojnë përfaqësuesit serbë nga “presionet dhe kërcënimet” e “strukturave ilegale dhe grupeve të lidhura me to”.
Përndryshe, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i shumicës së tyre në terren ka ngecur.
Kosova insiston se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke; Serbia kërkon zgjidhje kompromisi, por pa specifikuar shumë se çka nënkupton me të.