Serbi që bërtiti në Gazimestan “vrite shqiptarin” dënohet me 8 muaj burg
Gjykata Themelore në Prishtinë, sipas mediave serbe, ka dënuar me tetë muaj heqje lirie, qytetarin serb Nikolla Nedeljkoviç, i cili u arrestua më 28 qershor në Kosovë, në manifestimin e serbëve të “Vidovdan-it” me akuzën se ke bërtitur “Vrite, vrite Shqiptarin (Šiptar)”, emërtim që në gjuhën serbe përdoret në konotacion negativ për të ofenduar shqiptarët.
20 vjeçari serb, i cili u arrestua dy muaj më parë, ishte në paraburgim qysh nga 28 qershori i këtij viti me aktakuzën se ka shkaktuar urrejtje dhe intolerancë etnike.
Në seancën e sotme fillimisht në pyetje janë marrë dëshmitarë, e më pas Nedeljkoviç, i cili edhe një herë është deklaruar i pafajshëm për krimet për të cilat akuzohej.
Dëshmitar në këtë rast është polici i cili e ka dëgjuar dhe më pas arrestuar në fund të festës në Gazimestan.
Në anën tjetër, avokatja e tij, Jovana Filipoviq, pati deklaruar muaj më parë për Radio Televizionin Serb, “RTS”, se “nuk ka prova për paraburgim”, pasi siç thotë ajo, “vetëm polici që e ka arrestuar ka dëgjuar se kinse ka bërtitur atë për të cilën akuzohet”.
Ajo shton se në Gazimestan gjatë festës së Vidovdanit askush nuk ka bërtitur diçka të ngjashme, derisa pret që gjykimi të caktohet sa më shpejt.
Sipas Gjykatës Themelore në Prishtinë, koha e kaluar në burg do të përshihet në dënim, ndërsa kundër aktgjykimit i pandehur mund të ankohet në Gjykatën e Apelit.