Serbia arreston edhe një kosovar me pretendimet se ishte pjesëmarrës në luftën e Kosharës
Serbia ka arrestuar të mërkurën edhe një shtetas të Kosovës. Lajmin e ka bërë të ditur Fatmir Haxholli, sekretar i Zyrës së Kosovës në Serbi.
Ai ka thënë se i arrestuari sipas njoftimit që Ivica Daçiq ua ka dërguar medieve serbe është F.K, i lindur më 1968.
Qytetari i Kosovës është arrestuar sipas pretendimeve se ka qenë pjesëmarrës në luftën e Koshares.
“Sipas njoftimit të tillë të ndarë me mua nga njerëz vullnetmirë, Ivica Daçiq, i ka njoftuar mediat sot për ndalimin e një qytetari me iniciale F.K i lindur më 1968, dhe kjo sipas njoftimit gjoja duke e ngarkuar për ngjarje gjatë periudhës maj të vitit 1999, në luftën e lavdishme të UÇK-së në Koshare. Të vetmit që kanë bërë krime në Kosovë, Koshare, ku forcat miltare dhe paramilitare pësuan fiasko, janë forcat serbe, dhe nëse dikush duhet ndjekur për krime lufte në Kosovë dhe Koshare, ai do të duhej të jetë pjesëtarë i atyre forcave”, ka shkruar Haxholli në Facebook.
Ditë më parë ministrja Haxhiu ka njoftuar se përmes një letre ka kërkuar nga Serbia të bëjë transferimin e kosovarëve të arrestuar për në Kosovë.