Serbia arreston në mënyrë spektakolare kosovarin pasi në makinë mbante flamurin kuq e zi

01 qershor 2023 | 17:59

Rrahim Musliu, një kosovar që po jetonte në Gjermani është arrestuar në Serbi. Ai është arrestuar pasi përpara veturës së tij e kishte të vendosur flamurin kuq e zi. Kjo ndodhi derisa Musliu së bashku me gruan e tij po udhëtonin drejt Kosovës.

Këtë për Insajderin e ka konfirmuar  kryetari i degës së PDK-së në Kiel të Gjermanisë, Ndue Gjini derisa ka dhënë detaje mbi rastin.

“Rrahim Musliu është një mërgimtar si në kohën e ish-Jugosllavisë me ikje prej luftës në Gjermani, është një punëtor i thjeshtë, njeri familjar dhe gruaja e tij është gjermane, specialiste e zemrës në spital gjerman”.

Mërgimtari Musliu nuk ishte menjëherë në kufi, bazuar në informatat e Gjinit ai u arrestua sikur të ishte një kriminel, nga policë të maskuar të cilit iu kishin futur në hotelin ku e kishin vendosur vet.

“Përpara makinës së tij ka qenë i ngjitur flamuri kuq e zi ku Rrahim Musliu gjithmonë e ka deshtë dhe e do flamurin kuq e zi dhe në qoftë se Serbisë nuk i ka pëlqy kjo, është dashtë në kufirin e Serbisë, je i ndaluar nuk guxon në shtetin tonë me hy kështu, por jo me fut në shtet brenda dhe me arrestu”, ka shpjeguar Gjini për Insajderin.

“Në ditën e arrestimit (24 maj) i kanë qu në polici, pastaj i kanë liru ua kanë marrë pasaportat dhe ia kanë gjetë hotelin dhe i kanë thënë nesër keni me u lajmru në polici – çka bëjnë ata, të nesërmen i shkojnë me specialsa me maska edhe e kapin Rrahim Musliu”, potencoi ai.

Siç konfirmon kryetari i PDK-së në Kiel të Gjermanisë mërgimtari nuk ka shtetësi gjermane teksa ka pak kohë që për arrestimin e tij është informuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë.

Ai ka vizë gjermane, por jo shtetësi gjermane. MPJD është informuar duke thënë se nuk dinë detaje por që do të interesohen”.

Gjini shtoi se janë në kontakt me avokatë serbë të cilët i kanë angazhuar për rastin e tij dhe presin që ai të lirohet.


“Ne jemi tash në kontakt me avokatë serbë, dhe kam bisedu me njerëz në gjykata dhe u kam kërkuar që ta lirojnë njeriun se nuk kapet në këtë mënyrë”, tha ai.

Rrahim Musliu është një qytetar i thjeshtë i Kosovës që vije nga Komuna e Mitrovicës, siç konfirmoi edhe Gjini ai nuk ka qenë pjesë e UÇK-së.

Gazeta tashmë ka përcjellur pyetjet në MPJD për të kuptuar nëse kanë arritur të sigurojnë detaje për rastin e të njëjtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me fillim…