‘Serbia bleu armë në Moskë, BE-ja nuk e qortoi’
Banka Botërore në Prishtinë të martën përmes raportit të fundit ka deklaruar se në Kosovë ka me mijëra vende të punës të humbur në vitin 2018 dhe se shkalla e papunësisë është rritur.
Me një vlerësim të tillë nuk është pajtuar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se statistikat tregojnë se në Kosovë ka rritje të vendeve të punës.
Në konferencën për medie pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj, ka thënë se gjendja megjithatë nuk është ajo që kërkohet.
Ai ka thënë se me Bankën Botërore shpreson të kenë partneritet në disa projekte në vend. Ndërsa, sa i përket vendet e punës, Haradinaj ka përsëritur se duhet të bëhen investime të shumta.
Duke folur për fondet e dhëna nga Bashkimi Evropian, Haradinaj ka thënë se Serbia të njëjta po i keqpërdor duke blerë armë në Rusi.
“Serbia po blen armë në Moskë. Ato armë janë për qëllim të luftërave dhe kushtojnë shumë pare dhe me këtë po i bie që Serbia po i merr paratë e taksapaguesve dhe po hap vende të reja në Moskë. BE-ja s’po ankohet, por po jep prapë fonde. Për këtë desha të them që ka shumë specifika. Ne jemi një vend që kemi dalë nga lufta. Nëse jetoni në një vend në Evropë, ka skemë për atë që është i papunë. Ne nuk kemi mbërri ende ku duhet. Mendimi im është që sa më shumë të ketë Evropë në rajon është më mirë për stabilizimin e Ballkanit”, ka thënë Haradinaj.