Serbia dhe Kina nënshkruajnë memorandum për pagesa në juan
Bankat qendrore të Serbisë dhe Kinës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për krijimin e një marrëveshjeje kliringu dhe përcaktimin e një banke kliringu në Serbi për juanin kinez, njoftoi më 11 dhjetor Banka Kombëtare e Serbisë (NBS).
Guvernatorja e NBS-së, Jorgovanka Tabakoviq dhe guvernatori i Bankës Kombëtare të Kinës, Pan Gongsheng, nënshkruan një dokument që rregullon bashkëpunimin në lidhje me kryerjen e transaksioneve në juan kinez nga bankat në Serbi. “Ky është një hap tjetër në përmirësimin e bashkëpunimit kinezo-serb në fushën e shërbimeve financiare, me të cilin ne krijojmë kushte për përmirësimin e shlyerjeve dhe promovimin e transaksioneve në juan kinez”, tha Tabakoviq.
Kliringu është një marrëveshje ndërmjet subjekteve bankare mbi bazën e së cilës bëhet pagesa. Ajo thjeshton transaksionet e pagesave ndërmjet individëve dhe personave juridikë. Kliringu rregullohet zyrtarisht nga banka qendrore ose organizata të tjera kompetente ekonomike dhe financiare.