
Serbia drejt mbetjes pa naftë
Serbia do të përballet me humbjen e aksesit në importet jetike të naftës të premten, pasi bisedimet që synonin parandalimin e vendosjes së sanksioneve të ShBA-së ndaj rafinerisë së vetme të naftës në vend nuk arritën të dilnin nga bllokimi, sipas presidentit Alleksandar Vuçiq.
Thesari i ShBA-së i ka bërë thirrje “Gazprom”-it shtetëror të Rusisë dhe filialit të tij “Gazprom Neft” që të shesin pjesën e tyre të shumicës së aksioneve në rafinerinë serbe NIS – mes qindra zotërimeve të tjera biznesi – si pjesë e përpjekjeve për të “shënjestruar burimin kryesor të të ardhurave të Rusisë”, ose do të përballen me sanksione.
Afati i zgjatur që pronarët rusë të largohen nga NIS skadon të premten dhe Vuçiqi tha se nuk priste një marrëveshje të minutës së fundit për të shmangur krizën.
Shumica e importeve të papërpunuara të Serbisë mbërrijnë nëpërmjet një tubacioni në pronësi të “Janaf” të Kroacisë, të cilit do t’i kërkohet të pezullojë biznesin e tij me NIS për të shmangur shkeljen e kufizimeve të ShBA-së.
“Kemi folur me amerikanët, me rusët, me të gjithë” për gjetjen e një zgjidhjeje, tha Vuçiqi për “Financial Times” nga Beogradi. “Nuk pamë ndonjë ndryshim në qëndrimin amerikan”.
Ai pranoi se nuk ishte “i sigurt se ‘Janaf’ do të ndalonte transferimin e naftës” të premten dhe pranoi nevojën që Serbia, e cila ka rezerva për rreth 80 ditë, të arrijë një marrëveshje. “Janaf” nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të dërguara me email nga FT.
Presidenti i Serbisë, i cili mban një marrëdhënie pune me Kremlinin dhe refuzoi t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës, është nën presion në rritje, me muaj protestash që kulmuan me një tubim masiv në Beograd këtë muaj, në të cilin qindra mijëra serbë demonstruan kundër korrupsionit të perceptuar dhe dështimeve të qeverisë së tij.
Zemërimi u ndez nga shembja e çatisë së një stacioni treni në qytetin e Novi Sadit në nëntor që vrau 16 njerëz. Kjo ndezi një valë protestash të udhëhequra nga studentët, të cilëve që atëherë u janë bashkuar serbë të tjerë të pakënaqur me regjimin e tij, duke përfshirë avokatë dhe fermerë, duke e paraqitur Vuçiqin me sfidën më të rëndë të sundimit të tij 13-vjeçar.
Pronarët rusë kanë refuzuar të shesin 56 për qind të aksioneve të tyre të përbashkëta në NIS, megjithëse ata e kanë ndërruar strukturën e pronësisë në mënyrë që as “Gazprom” dhe as “Gazprom Neft” të mos kenë shumicën në rafineri.
“Qëndrimi rus është se ata duan ta mbajnë atë me çdo çmim”, tha Vuçiqi. Ai më parë ka përjashtuar shtetëzimin e NIS-it ose aksioneve ruse si një mënyrë për të shmangur sanksionet dhe ka refuzuar të diskutojë strategjitë se si do ta qetësonte situatën.
“Në fund ne duhet të kemi një treg plotësisht të siguruar të naftës në vendin tonë, që do të thotë furnizim të plotë me naftë për rafinerinë tonë dhe për tregun tonë të benzinës”, tha ai, duke shtuar se çmimi nuk ishte një problem dhe problemi mund të zgjidhej “lehtë” nëse do të arrihet një marrëveshje për transferimin e pronësisë së NIS.
Një zgjidhje e mundshme, sipas shifrave të industrisë, është që grupi hungarez i naftës MOL të ndërhyjë dhe të blejë aksionet ruse në NIS. MOL ka refuzuar të diskutojë këtë çështje dhe Vuçiqi tha se ajo çështje nuk ishte ngritur gjatë një bisede telefonike me kryeministrin hungarez Viktor Orban të mërkurën.
I pyetur se deri në çfarë mase çështja e NIS ishte pjesë e një diskutimi më të gjerë ruso-ShBA në kontekstin e përfundimit të luftës në Ukrainë, Vuçiqi tha: “Unë mendoj se është një çështje e vogël për ta”.
Ai shtoi: “Nëse sanksionet hyjnë në fuqi, ne do të duhet të shohim sa më shpejt reagimin nga pala ruse, dhe atëherë do të duhet të reagojmë gjithashtu”.