“Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”
Ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, ka thnë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Jamie Shea, zëdhënës i NATO-s gjatë kohës së fushatës ajrore të pranverës së vitit 1999, në njëzetvjetorin e përfundimit të luftës, rikujton sprovat nëpër të cilat kishte kaluar Aleanca në atë kohë dhe flet për rezultatet e kësaj fushate në ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.
“Njëzet vjet pas fushatës ajrore të udhëhequr nga NATO-ja, unë ende e konsideroj atë tërësisht legjitime dhe të arsyeshme. Regjimi i Millosheviqit në Serbi kishte udhëhequr një fushatë brutale kundër popullit të Kosovës duke bërë shkelje të shumëfishta të të drejtave të njeriut. Po ashtu, ka refuzuar një marrëveshje paqësore e të negociuar, të cilën e kishte pranuar delegacioni i Kosovës. Andaj, vendet anëtare të NATO-s nuk kishin zgjidhje tjetër pos të përdornin forcën për të ndalur vuajtjet e popullatës civile të Kosovës. Për këtë veprim kemi pasur përkrahjen e publikut, parlamenteve dhe bashkësisë së gjerë ndërkombëtare, pasi ishte veprim proporcional dhe i qartë në arritjen e qëllimeve. Askush nuk dëshironte një përsëritje të asaj që ndodhi në Bosnje nga 1992 në 1995, kur bashkësia ndërkombëtare ishte shumë e ngadalshme në ndërmarrjen e veprimeve vendimtare”, u shpreh ai.
Ai është shprehur i tronditur kur sheh që edhe dy dekada pas Serbia e paraqet veten të viktimizuar dhe nuk pranon kurrfarë përgjegjësie për krimet e kryera në Kosovë, transmeton “RTK”. “Askush nuk dëshiron të përdorë forcën nëse mund të shmanget. Për këtë arsye aleatët e NATO-s u përpoqën shumë për gjashtë muaj në Rambuje dhe Paris të negocionin një marrëveshje paqësore në mes të regjimit të Millosheviqit dhe përfaqësuesve të Kosovës. NATO-ja, po ashtu, disa herë e ka paralajmëruar publikisht dhe në mënyrë të qartë Millosheviqin të hiqte dorë nga fushata ushtarake e represionit në Kosovë. Kështu që, kur u mor vendimi në mars të vitit 1999 për përdorim force, Aleatët ishin të bashkuar pasi të gjithë ishin të kënaqur që fushata ajrore me të vërtetë ishte mjeti i fundit dhe e justifikueshme si mënyra e vetme për të ndalur spastrimin etnik që Millosheviqi po i bënte Kosovës. Pasi fillimit të fushatës ajrore, deportimi i dhunshëm masiv i popullatës së Kosovës dhe shumë raste të represionit të dhunshëm vetëm i bënë aleatët e NATO-s edhe më të vendosur që fushata ajrore të përfundonte me sukses të arritur”, ka deklaruar ai.