Serbia duhet ta zgjedhë BRICS në vend të Brukselit
Serbia duhet të zgjedhë BRICS në vend të Brukselit, ka thënë zëvendëskryeministri serb Aleksandar Vulin në një intervistë për mediat ruse. I sanksionuar nga Amerika dhe njeri i afërt e i Rusisë, Vulin vazhdon të vizitojë Moskën dhe të jetë urë lidhëse mes Vuciqit dhe Putinit.
Sipas tij, Serbia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe ka qenë kandidate që nga viti 2012, por blloku kohët e fundit ka kërkuar njohjen e Kosovës si kusht për anëtarësim.
“BRICS nuk kërkon asgjë nga Serbia dhe ofron më shumë nga sa mund të dëshironim. BE-ja kërkon nga ne gjithçka dhe unë nuk jam më i sigurt se çfarë ka për të ofruar”, tha Vulin për RIA Novosti
“Ne e shohim BRICS si një mundësi dhe një alternativë,” shtoi Vulin. “Serbia është duke hetuar shumë nga afër të gjitha mundësitë e paraqitura nga BRICS dhe bashkëpunimin më të ngushtë me shtetet e saj anëtare.
Sipas Vulinit, Serbia pret një ftesë zyrtare për samitin e BRICS, të planifikuar për në fund të tetorit në Kazan të Rusisë.