Serbia e anuloi Samitin e Parisit, nuk dëshiron marrëveshje me Kosovën
Njohësi i proceseve politike, profesor Milazim Krasniqi, ka vlerësuar se Serbia është fajtore për anulimin e Samitit të Parisit.
Ai ka thënë se ky samit nuk u mbajt pasi Serbia nuk dëshiron marrëveshje për njohjen e Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka deklaruar se Kosova duhet të heqë dorë nga iluzioni për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.
Ai ka thënë se është e pamundur kjo marrëveshje pa ndryshuar qasja e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë.
Krasniqi ka theksuar se derisa të hapet rruga e anëtarësimit paralel e Serbisë dhe Kosovës në BE nuk do të ketë dialog për marrëveshje finale.
Sipas tij, BE-ja nuk ka fuqi imponuese mbi politikën e Vuçiqit dhe të Beogradit. Krasniqi ka thënë se Kosova duhet të fokusohet në forcimin e institucioneve, në forcimin e identitetit shtetëror, si dhe në forcimin e aleancave me miqtë strategjikë.
“Epoka e re”: Profesor, si e komentoni dështimin e Samitit të Parisit dhe cila mendoni se ka qenë arsyeja kryesore për mosmbajtjen e tij?
Krasniqi: Vuçiqi dhe qeveria e tij luajnë lojë propagandistike lidhur me dialogun por, në fakt, ata janë bllokues të këtij procesi. Takimi i Parisit është anuluar për arsyen e vetme se Vuçiqi dhe Qeveria e Serbisë nuk duan marrëveshje me Kosovën në bazë të realitetit që ekziston, por marrëveshje që mundëson aneksimin e veriut dhe paralizimin e jugut, marrëveshje që hap rrugën e copëtimit të Kosovës dhe që e amniston gjenocidin serb. Marrëveshje që hap rrugë për krijimin e Serbisë së Madhe, duke shkëputur edhe Republika Srpskan. Pra, është programi i kriminelëve të vjetër. Nëse nuk duan ta kuptojnë këtë gjë kaq të thjeshtë, Merkeli, Makroni dhe të gjithë të tjerët mund të bëhen kontribuues të destabilizimit të vet Evropës. Ata duhet ta mbyllin lojën me zjarr e jo t’i fryjnë zjarrit.
“Epoka e re”: Pas këtij dështimi, çfarë qasje duhet të ketë Kosova ndaj procesit të dialogut?
Krasniqi: Kosova duhet të fokusohet në forcimin e institucioneve të veta, në forcimin e identitet shtetëror, në forcimin e aleancave me miqtë strategjikë dhe të lihet kjo propagandë iluzioniste se, gjoja, mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nëse dikujt i ngutet për marrëveshje atëherë i ngutet Serbisë sepse me kapitullin e 35-të të BE-së Serbia është e kushtëzuar të ketë marrëveshje me Kosovën para çfarëdo lëvizje drejt anëtarësimit, ndërsa Kosova është shumë më larg në procesin e integrimit evropian. Prandaj, mendoj se Kosova mund të luajë rol ndikues me bllokim sesa me këtë entuziazëm naiv lidhur me dialogun. Këtë entuziazëm naiv të përfaqësuesve tanë serbët e kanë shfrytëzuar për t’u thelluar më tepër në ndërhyrjen e punëve të Kosovës dhe për ta dëmtuar imazhin e Kosovës.
“Epoka e re”: Ndonëse në kohët e fundit në opinion u krijua një optimizëm për arritjen e një marrëveshje eventuale ndërmjet dy vendeve, ka pasur shpresë se në Samitin e Parisit mund të vendosen bazat e saj, por pas këtyre zhvillimeve, sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë?
Krasniqi: Personalisht nuk pres absolutisht se mund të arrihet marrëveshje me Vuçiqin i cili, në betimin e tij si president, ka deklaruar se ‘me çdo forcë do ta mbrojë Kosovën brenda Serbisë’ si dhe ditë më parë ka thënë se ‘edhe nëse vijnë 350 milionë amerikanë, unë nuk do ta njoh Kosovën’. Unë nuk e di nëse përfaqësuesit tanë i lexojnë drejt dhe nëse i kuptojnë mesazhet e tij. Mesazhet e presidentit Vuçiq janë aneksioniste dhe destabilizuese, prandaj me këtë person kurrë nuk mund të arrihet një marrëveshje e favorshme për Kosovën.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh këto që po i thoni, mendoni se do të ketë vazhdim të dialogut dhe, nëse po, cila do të jetë ecuria e këtij procesi?
Krasniqi: Unë besoj se do të ketë vazhdim të iluzionit lidhur me dialogun, por nuk do të ketë dialog për marrëveshje. Mund të ketë dialog për çështje të veçanta siç ka qenë procesi i Brukselit, mirëpo dialog për marrëveshje finale për t’u pranuar Kosova shtet nga Serbia nuk do të ketë derisa të hapet rruga e anëtarësimit paralel të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian (BE). Vetëm nëse këto shtete do të futeshin brenda do të ndërronte diskutimi dhe diskursi për arritjen e ndonjë marrëveshje. Me këtë Serbi, e cila në njërën anë është e lidhur me Rusinë dhe Kinën, ndërsa në anën tjetër luan lojë me Brukselin, nuk mund të arrihet marrëveshje për njohjen e Kosovës shtet.
“Epoka e re”: Si i tillë, ky dialog do të duhej të mos vazhdojë?
Krasniqi: Përfaqësuesit e Kosovës duhet të flasin për dialog në raport me ndërkombëtarët sepse ata kanë qejf ta dëgjojnë atë muzikë, por nuk duhet të ushqejnë iluzione te populli ynë se mund të arrihet marrëveshja. Përkundrazi, duhet t’ia tregojnë të vërtetën që me këtë Serbi jemi në konflikt dhe ky konflikt nuk është mbyllur dhe nuk mund të mbyllet përderisa nuk ka ndryshime substanciale në Serbi dhe derisa Bashkimi Evropian nuk e ndryshon qasjen radikalisht ndaj Serbisë.
“Epoka e re”: Pati një shpresë se gjërat mund të lëvizin në drejtimin e duhur me një rol aktiv të Francës dhe Gjermanisë në këtë proces, por me mosmbajtjen e Samitit të Parisit, a do të thotë se këto vende kanë dështuar dhe BE-ja nuk ka fuqi për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Krasniqi: Bashkimi Evropian me krizat e brendshme që ka është i pafuqishëm për të imponuar një agjendë imponuese për Serbinë me këtë politikë që ka. BE-ja ka kapacitete për t’i bërë presion Serbisë, por nuk po i bën. Pra, nuk po i bën presion me iluzionin që ta mbajë në proces për ta shkëputur disi nga Rusia dhe ky është po ashtu një iluzion shtesë sepse Serbia tashmë është shndërruar në shtet vasal të Rusisë. Vuiçiqi vazhdimisht deklaron se para çdo vendimi e telefonon Putinin dhe merr mendimin e tij dhe kjo i bie se ai është vasal i Putinit dhe BE-ja nuk ka fuqi imponuese mbi politikën e Vuçiqit dhe të Beogradit. Prandaj, politikanët tanë duhet ta kuptojnë këtë realitet, duhet të fokusohen në fuqizimin e shtetit të Kosovës, në rritjen e partneritetit me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi dhe në proceset integruese në NATO e BE. Vetëm një fuqizim i tillë substancial i Kosovës dhe shqiptarëve mund të shndërrohet në rrethanë për t’ia imponuar Serbisë ndonjë lëvizje nga qëndrimi i tanishëm armiqësor që ka ndaj Kosovës.
“Epoka e re”: Jeni optimist se nëse do të ketë një rol aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mund të gjendej një zgjidhje e qëndrueshme në mes të dy vendeve?
Krasniqi: Deri tash ai ka qenë një qëndrim konfuz dhe qëndrim që realisht më shumë ka inkurajuar lëvizjen e Serbisë drejt Rusisë sesa drejt BE-së. Unë besoj se administrata amerikane do ta kuptojë se kjo është një politikë e gabueshme e presionit mbi Kosovën dhe lajkatimit të Serbisë. Kështu që, nëse kjo nuk ndryshon, do të vijë deri tek ashpërsimi i diskursit politik dhe veprimit në Serbi, si dhe kjo do ta destabilizonte në mënyrë të rrezikshme rajonin. Pra, edhe politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në këtë raport duhet të ndryshojë.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, nëse vazhdohet me këtë status kohë, çfarë do të ndodhë me Kosovën?
Krasniqi: Me këtë status quo Kosova duhet të mësohet të jetojë siç jetojnë jo pak shtete që kanë konteste me fqinjët. Kontest me fqinjët ka edhe Gjeorgjia, por është shtet i pavarur. Kontest me fqinjët ka edhe Ukraina, por është shtet i pavarur. Konteste kanë edhe Greqia me Turqinë, por janë shtete të pavarura. Kosova nuk duhet të sillet si fëmijë idhnak që hidhërohet për lodra dhe derisa nuk pajtohet, përplas këmbët. Duhet ta kuptojmë se Serbia është një shtet armiqësor dhe nuk është e gatshme ta pranojë Kosovën, prandaj duhet të fokusohemi në forcimin e shtetit, forcimin e kombit shqiptar dhe në forcimin e integrimeve euroatlantike.
Shqipe HETEMI