Serbia e kërkon në Bruksel lëvizjen e kufijve të Mitrovicës së Veriut te “Suhodolli” si kusht për hapjen e Urës
Kryenegociatori i Serbisë për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq tha se në Bruksel sot ka kërkuar ripërcaktim të kufirit që e ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut si parakusht për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Ndërkohë që ai nuk pati një takim me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi.
“Në pjesën ligjore kërkojmë respektimin e marrëveshjes ku insistojmë në demarkacion në zonën e Suhodollit si parakusht për hapjen e urës. Ai ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Kosovës sepse ne kemi insistuar në tema si Asociacioni, shërbimet postare dhe çështjen e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Imagjinoni kur ai nuk do të flasë për ato gjëra të rëndësishme”, tha Petkoviq nga Brukseli, raportojnë mediat serbe.
Petkoviq tha se ia ka prezantuar emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak masat që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i përmendi të premten lidhur me situatën në Kosovës.
Pas këtij takimi, Petkoviq tha se do të shkojë në takim me përfaqësues të NATO-s në Bruksel, me të cilët do të diskutohet për çështjen e urës së Ibrit.
“Do të flasim për temën e urës, por nga prizmi i sigurisë, sidomos për të vënë në dukje, në një prezantim të veçantë, të gjitha rreziqet që ekzistojnë nëse Kurti fillon ta hapë urën në mënyrë të njëanshme. Kjo është e pamundur sepse NATO është e pranishme në atë urë dhe prandaj është e rëndësishme të bisedohet me ta”, tha ai.
Bislimi paraprakisht tha se ishte Petkoviq që refuzoi takimin trepalësh.