Serbia kërcënon me largim nga Euro 2024 nëse UEFA nuk dënon Shqipërinë dhe Kroacinë
Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit (FSS), Jovan Surbatovic ka deklaruar se Serbia do të largohet nga Euro 2024 nëse UEFA nuk merr masa ndaj Shqipërisë dhe Kroacisë, me dy kombet e fundit që luajtën një barazim 2-2 të mërkurën në Hamburg.
Ndeshja ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë nuk kaloi pa incidente, pasi në tribunat e stadiumit “Volspark” të Hamburgut dëgjoheshin thirrje të shëmtuara “Vrite Serbin”. Kjo shkaktoi një furtunë të madhe në Serbi.
Surbatovic, në një deklaratë për “RTS” tha se do të kërkonte dënim të rëndë nga UEFA për Kroacinë dhe Shqipërinë dhe nëse kjo nuk do të ndodhte, ai madje kërcënoi se Serbia do të largohej nga Euro.
“FSS do të kërkojë masat më të rrepta nga UEFA, edhe me koston e mos vazhdimit të garës. Kjo është skandaloze dhe ne nuk duam të ndodhë më”, u shpreh Surbatovic.
“Ne duam që tifozët që bërtisnin parulla të papranueshme të ndëshkohen në mënyrë drakoniane. Ne do t’i bëjmë një apel UEFA-s për ngjarjet e sotme (të mërkurës). Nuk ka lidhje me sportin dhe futbollin. Ne nuk duam ta politizojmë kampionatin”, përfundoi kreu i futbollit serb.