Serbia lidh kontrata pune me serbët e dorëhequr në Kosovë
Në katër komunat në veri të Kosovës, të enjten ka filluar nënshkrimi i kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë dhe serbëve që kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Kështu ka njoftuar e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes së cilës është duke u bërë lidhja e kontratave.
“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i dhënë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, qytetarëve tanë në Kosovë e Metohi, të cilët kanë dalë nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit”, është thënë në komunikatë.
Rikujtojmë se nga java e parë e nëntorit, qindra serbë të Kosovës janë dorëhequr nga institucionet e Kosovës përfshirë policinë, gjykatën, prokurorinë si dhe institucionet lokale e qendrore.
Sipas njoftimit të kësaj zyre, me këto kontrata, serbët që kanë braktisur institucionet “do t’i rregullojnë të gjitha obligimet juridike nga marrëdhëniet e punës, ato pensionale, sigurimet shëndetësore, etj.
Në komunikatë nuk është shpjeguar se në cilat institucione serbe do të angazhohen.