Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të situatës në Kosovë
Në Beograd sot po mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjo seancë, ku takohen përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi, po mbahet një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaiviqit dhe Zubin Potokut që të hyjnë në zyrat e tyre, që hasi në kundërshtim nga grupe të serbëve lokalë.
Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët e mbledhur para ndërtesave komunave, ndërkaq ata hodhën gurë në drejtim të policëve.
Pas ndërhyrjes së policisë, kryetarët e rinj hynë në zyrat e tyre.
Policia bëri të ditur se të paktën pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime.
Rritja e tensioneve në veri u dënua nga faktori ndërkombëtar, ndërkaq Serbia ngriti gatishmërinë luftarake.
Shtetet e Bashkuara i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “çdo veprim i mëtejmë që do t’i ndezë tensionet dhe do të nxisë konflikt”, ndërkaq Bashkimi Evropian po ashtu dënoi “veprimet e njëanshme” të Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë, sipas tij, çdo opsion tjetër “do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj”.