Serbia mbyll vendkalimet kufitare me Kosovën
Tri vendkalime kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë janë mbyllur nga Serbia pas një vendimi të presidentit Vuçiq. Nga dita e premte në orën 14:00, të paktën për 48 orë dhe tutje deri në një vendim tjetër janë mbyllur nga ana e Serbisë pikat kufitare me Kosovën, në: Jarinje, Bërnjak dhe Merdare.
Mediat lokale serbe në veri të Mitrovicës kanë marrë informacione për mbylljen e kufirit me Serbinë nëpërmes qytetarëve të cilët janë përpjekur që të premten pas orës 14:00 ta kalojnë kufirin në Jarinje, Bërnjak dhe Merdare dhe të hyjnë në Kosovë, por që nuk kanë arritur për shkak se, siç kanë thënë, ata i ashtuquajturi “vendkalimi kufitar i integruar” është mbyllur nga ana serbe.
Siç ka mësuar “Kossev”, MUP-i serb ua ka lëshuar urdhëresën të gjitha ekipeve policore në vendkalimet kufitare me Kosovën se që nga dita e premte në orën 14:00 janë mbyllur për të paktën 24, përkatësisht 48 orë e deri tutje në ndonjë vendim tjetër.
Presidenti i Serbisë, Aleksndër Vuçiq, në kuadër të luftës kundër përhapjes së koronavirusit ka urdhëruar mbylljen e të gjitha vendkalimeve kufitare për hyrje të udhëtarëve, përveç për kamionë.
Është ndërprerë edhe trafiku ndërurban, derisa Qeveria e Serbisë ka dërguar avionët për t’i marrë shtetasit e vet që kanë mbetur nëpër aeroporte.
E në jug të Mitrovicës vazhdon zbatimi i masave të Qeverisë së Serbisë për parandalimin e virusit korona. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lëvizin në rrugë, derisa janë mbyllur parqet dhe qytetarëve u është rekomanduar të rrinë brenda. Gjithashtu, kryetari i Mitrovicës ka mbyllur edhe hyrjen te liqeni akumulues si një masë tjetër parandaluese. /Zëri