Serbia në kërkim të kolonës së pestë në Kosovë apo tendenca për një aleancë ndryshe
Shkruan: Shaqir Shaqiri
Në ueb faqen “Bota sot” , lexova një shkrim më titull “Mediat serbe në alarm: Kurti po kthehet – ky subjekt do t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë”, me të cilin ajo gjoja po shfaq një shqetësim dhe alarm që në Kosovë do të fitoj armiku i saj më i madh.
Përkundrazi, nga një këndvështrim analitik, përmbajtja e shkrimit lenë për të kuptuar krejtësisht të kundërtën.
Përmbajtja e këtij shkrimi është vërtetë shqetësues, sepse krijohet përshtypja që Serbia duke u “alarmuar” në këtë mënyrë, ajo përpiqet që në mënyrë indirekte të ndihmojë në realizimin e këtij “alarmimi”.
- Ajo thotë se “Kurti do t’i fitoj 50% të votave dhe kjo gjë nuk do të ishte në dobi të serbëve të Kosovës as procesit të normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës….”.
Beogradi qenka fortë në brengosje e alarmim, që serbët e Kosovës nuk do të kenë dobi nga një fitore eventuale e Kurtit. Paramendoni nëse një fitore eventuale e Kurtit do tu shkaktonte dëme serbëve të Kosovës, pastaj paramendoni reagimin që do ta bënte Beogradi në rrafshin diplomatik dhe ejani në përfundim se cila do të ishte qasja e ndërkombëtareve karshi Kosovës. Alarmim se jo mahi!
- Përmbajtja e këtij shkrimi thotë se “Kurti si kryeministër ishte kundër tërheqjes së taksës ndaj prodhimeve serbe që pamundësonte dialogun”, për të vazhduar më tutje se “Dialogu do të jetë në “pritje”, deri në përfundimin e procesit dhe pozita e presidentit nuk ka mandat të plotë, pasi Vjosa osmani është ushtrues e detyrë që nga shkuarja e Thaçit në Hagë”..
Shikojeni se çfarë sjell në rikujtim ky shkrim. Paramendoni “alarmimin” e Beogradit në rastin e pamundësimit të dialogut, apo dialogu të jetë në pritje! Tani më është e dëshmuar se “status quoja” apo vendnumërimi i shkon për shtati vetëm politikës serbe, ndërsa këtu Serbia bënë përpjekje të një paraqitjeje të palës së dëmtuar, por e tregtuar te një pjesë e elektoratit tamam si kashta për dimër, të një viktimizimi për shkak të shtyrjes së dialogut. Nëse fitorja eventuale e Kurtit eventualisht do të shtynte dialogun, atëherë shtyrja e dialogut dhe ky status quo i përshtatet vetëm politikës së Serbisë.
- Në përmbajtjen e këtij shkrimi citohet Zoran Milivojeviç, i cili thotë se “Mundësia që Vetëvendosja të kthehet në pushtet mund të sjell radikalizmin dhe krijimin e tensioneve”.
Interesante, Serbia “alarmohet” se në Kosovë mund të ketë radikalizëm dhe tensione?! Ajo fletë sikur vërtetë Kosova të jetë pjesë e saj dhe se një radikalizëm i mundshëm apo tensione tjera e destabilizojnë Serbinë! Jo, Kosova tani më është e pavarur, ani se vet Kurti (dikur apolitik) thonte se nuk mund të shpallet pavarësia e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, por ja që tani më është fakt i kryer. Paramendojeni këtë farsë alarmimi të Serbisë, edhe pse të gjithë ne e dimë se vet Serbia përpiqet më të gjitha forcat e saja që Kosovën ta bëj vend të radikalizuar dhe me tensione të vazhdueshme. Athua a do t’ia arrijë qëllimit, kësaj radhe duke veçuar një subjekt dhe duke e ditur se shqiptarëve si për inati të saj do të votonin subjektin që ajo targeton si kundërshtare të saj.
- Po ashtu, ky shkrim në përmbajtjen e saj ka edhe opinionin se: “Ardhja e Vetëvendosjes është fitore edhe e strukturave evropiane që patën mbështet këtë subjekt”.
Serbia sikur po harron se ne e dimë që edhe rezoluta e miratuar në Kombet e Bashkuara për nisjen e dialogut, është iniciuar nga vet Serbia dhe e sponsorizuar nga Bashkimi Evropian. Serbia po mendon se ne kemi harruar se gjendja e tanishme, e pazgjidhur dhe me të tëra këto problem, është produkt kryesor i Bashkimit Evropian. Shqiptarët nuk janë të rreshtuar kundër Evropës, por Evropa nuk po na e zgjidh problemin, përkundrazi, në të gjitha politikat e saja është avancuar Serbia. Prandaj nuk e di se pse do të alarmohet Serbia nëse strukturat evropiane investojnë në “ardhjen e Vetëvendosjes”?!
- Shkrimi përmban edhe: “faktori ndërkombëtar ka luajtur rolin kryesor për ndryshime në Prishtinë dhe qëllimi është sjellja e struktura që më pak janë të ngarkuara me UÇK…”
Alarmim se jo mahi, bile këtu duhet të alarmohet edhe Rusia e Kina, sepse paramendojeni fatkeqësinë e Serbisë në momentin kur ndryshimet politike në Kosovë do të largojnë nga skena politike strukturat që janë të ngarkuara me UÇK-në. Gjithsesi, këtë e dëshirojnë edhe shumë votues shqiptarë, por unë e kam vështirë të pranoj si fakt njëmendësinë e tyre me të serbëve pushtetarë në Beograd.
Prandaj, ky alarmim i Serbisë, nuk është gjë tjetër pos joshje indirekte e votuesve për subjektin që ajo e sulmon e që në fakt le për të kuptuar se e dëshiron në pushtet. Pse, sepse Serbia dëshiron që dialogu të ngec, Serbia dëshiron që në Kosovë të ketë radikalizëm dhe tensione, Serbia dëshiron që zgjidhjen e problemit Kosovë – Serbi të merret (vetëm) Evropa dhe SHBA të qëndroj sa më larg kësaj çështje, Serbia dëshiron që pushteti i Kosovës të mos jetë më fare në duart e njerëzve të UÇK-së, sepse me të tjerët ajo luan më lehtë dhe i pyet nëse dinë të flasin serbisht. Serbia duhet t’i mbaj larg duart nga Kosova dhe zhvillimet e saja të brendshme, ndërsa ata që ndikohen nga politika e Serbisë për veprimet e tyre brenda Kosovës, janë të mjerë.
Autori është ish i burgosur politik, udhëheqës i LPK- KRR Preshevë, udhëheqës i Zonës së Tretë, më vonë Batalioni Mbështetës i SHP UÇK-së “Korridori i Furnizimit”, nënkryetar dhe zëdhënës i Këshillit Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.