Serbia nis zbatimin e vendimit për targat RKS
Qytetarët e Kosovës kanë nisur të lëvizin në territorin e Serbisë me targa të Kosovës pa i vendosur stikerat në simbolet shtetërore.
Ekipi i KP-së raporton nga vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdare, se automjetet me targa të Kosovës po kalojnë pa i vendosur ngjitëset në simbolet shtetërore, derisa, vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa mbetet ende në fuqi.
Në këtë pikë kalimi, gjatë ditës ka pasur edhe kolona në dalje të Kosovës, e që ishin kryesisht automjete të bashkatdhetarëve.
Vendimin e Qeverisë së Serbisë e bëri të ditur drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, duke përmendur që kjo nuk nënkupton njohje të shtetit të Kosovës.
”Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe kjo nuk mund të interpretohet si njohje e shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, është shprehur ai.