Serbia nuk e lëshon [Kosovën] me paqe
Bisedë me Hysen Tërpezën (5)
Ushtarët çka bënin aty kur i morët me vete?
– Jo, aty s’kish partizanë hiç. Nja katër a pesë s’luajtën hiç prej aty. U tha Alia mos luani ju. Këta të mitë ishin tubë me ne. Kur u avitem aty, ndaluni u thashë. Jo, zotni Tërpeza, do të të çoj te shokët. Ngadalë, jo, jo, i thashë, s’ka nevojë. Unë e marr zotni Shabanin e zotni Brahimin. Këta do të vijnë me mua në mal. S’po i lë të presin.
Tha aty: unë do të të ndjek e ti bëj çka të duash!
Alia?
– Po, mua më tha Alia. Hajt, i thashë, ju bëjeni tuajën e unë timen. Udha e mbarë! Mbarë paç! I morëm Shabanin e Brahimin. Perëndoi dielli. Shihej nga pak hala. Ecnim nëpër lëndinë. Na jemi shqiptarë, njerëz si të egër. Po donë t’i ndalin edhe Shabanin e Brahimin, të mos i lënë të hyjnë në mal. Ndaluni u thashë. Ata u ndalën. Po shuajnë. Po tuten. Hakiu e nxori alltinë, po qet bam-bam. Ata këqyr. Alia mbeti me ata që mbetën atje. Na pa. U bë bërllok. S’më erdhi mirë hiç! Kanë kujtuar mos i vramë ata. Unë po çuditem. Kur tha mendo për familje, për farefis. Qaty, thashë me vete, këta i kishin prerë të dy djemtë, se njëri ish më i madh, tre-katër vjeç. Po pritni, bre, se nuk qitet fare Kosova.
E çohet Rugovë zeza e thotë tash, unë bëra një punë për ta shpëtuar familjen. Mua dikush po më jep nga pak vërejtje. A di kush, ata që nuk e kanë humbur asnjë? Mua më kanë pyetur edhe amerikanët. Po thosha, babën e babagjyshin ia kanë vrarë për një natë. Kam dëgjuar ashtu. Komunizmi. Po tash të thotë ky burrë zeza ashtu. Edhe gruan time e kanë çuar në burg në Gjilan e në Ferizaj, s’kam thënë asgjë.
E ke ndarë mendjen?
– E kam ndarë mendjen, le ta çojnë, le ta burgosin.
Ne, kur jemi nisur për Greqi, jemi nisur në muajin e fundit. Prej maleve të Kozmaqit. Ishim shumë. Një vëlla qe plagosur e një qe vrarë në vend. Vëllai i plagosur jetoi nja 15 ditë. Aty ishim nja 300 veta. Unë e dhashë një fjalim. Thashë: vëllezër, do ta lirojmë këtë popull. Shtet s’mund po bëhemi. Këto pushkë që i kemi prishur, i gjejmë në Evropë. Njëmend kish qenë ashtu. Thashë e lirojmë këtë popull e do të dalim. Unë, edhe po të mbetem me dhjetë veta, s’ndalem. I kam ditur udhët shumë andej. Kam pas bartur duhan nga Maqedonia.
Gjatë asaj kohe, a e dinit ku ishte mulla Idrizi?
– Jo, u këput lidhja. Mulla Idrizin e patën kapur në Përlepnicë.
Ai kish qenë i strehuar një kohë të gjatë në Gjyryshec.
– Qe këputur lidhja. Veç dikush na pati treguar se i gjallë është. Na dhimbsej i shkreti. Patriot i madh. Taktikë lufte nuk kishte. Nuk ishte zanat i tij. Bile, kur kam qenë në Preshevë, ishin Sulë Hotla e Hamzë Bellanovci, do pari krejt, dolëm e dhamë një fjalim aty. E thyem luftën. U pa puna.
Më 1945 patëm marrë vendim ta lëshonim Kosovën. U ndamë. E lamë amanetin te shtëpia. Do këndej, intelektualët, veç Ibrahim Kelmendi ishte me mua, Ademi dhe Limani ishin andej, në Ferizaj, nga ana e Jezercit, për të mbledhur dikë, që t’i tërheqë prej Kosove. Unë rashë në pritë. M’u vranë kushëriri dhe vëllai. Kishin dëgjuar ata. I kishin çuat dy veta. Një Kërstiqi ka qenë me ne në mal. Zahir Kërstiqi, edhe një tjetër. Ademi e këta thonë, shko thoni çka të bëjmë. Thashë ju nisuni e shkoni! Për mua mos u bëni merak. Unë kam shokë boll. Unë kam njerëz që vijnë. I kam edhe 300 njerëz aty. Vëllai ishte sëmurë. Ata kanë shkuar. Kanë qenë kallaballëk. Kanë qenë treqind-katërqind veta. Po çka të bëjmë? Kanë mandat t’i bien nëpër tokë të Shqipërisë, të dalin më shkurt në Greqi. Kur kanë hyrë në tokë të Shqipërisë, i kanë rrokur brigadat shqiptare e janë kthyer prapë. Unë jam nisur 5-6 ditë mbas tyre. Një ditë para tyre kam hyrë në Greqi. Në kufi rashë në pritë. M’u vranë dy veta. Unë jam dorëzuar sikur sonte në aksham, ata para sabahut të nesërmen. Ademin e kanë pyetur. Ata po e dinë që unë jam në mal hala. Kë keni në mal? E kemi komandantin Hysen Tërpeza. Ai është komandant i përgjithshëm, e ka dhanë deklaratën. Ai prej Shkupit deri në Mitrovicë i ka 15 mijë veta. Pesë mijë i ka ilegalë, të tjerët janë maleve. Edhe prej Shkupit e në Mitrovicë i ka zaptuar ato katunde. Kur të nesërmen u takuam, ne u përqafuam. Do të kishin humbur, do të kishin ikur e do të kishin hyrë në Shqipëri. Shumë janë kthyer prapë në Kosovë. Mozomakeq, bre! Mas dy dite shkroi gazeta. Ademin e ka pyetur. Çka kanë pyetur Ademin, çka ka shkruar gazeta. Hysen Terpeza komandant e kështu. Kur të nesërmen u takuam, edhe gazeta doli. Grekët afër kufirit dinin serbisht e shqip. Erdhën pastaj mbas nja katër-pesë dite prej Athine të na pyesnin. Qeveria e Athinës. Tre, këta intelektualët, edhe unë katër. E kishim gazetën në dorë.
Emrat?
– Çka je – Ademit – me shkollë? Ibrahim Kelmendi, profesor i historisë. Luan Gashi, po ashtu. Po ti? Unë bujk. Emrin? Hysen Tërpeza. Po kanë keni komandant? Ademi u kthye e i tha e kemi Hysen Tërpezën.
Emri Bajraktar shumë i madh ish në Greqi. Ish me famë. Kishte aty Kristo Bajraktari, Nikoll Bajraktari… Asnjë derë nuk i ndalte ata. Tha ky është shtëpi bajraktari. M’i rrahu krahët. Ata u tutën mos po i kap diçka, si shkollarë që ishin. Pastaj s’i lypte kush. Na çuan në Athinë, ashtu krejt. U bëmë shumë. Treqind e sa prej Maqedonisë. Njëri e kish pasur një krah me letra. Na bënë rend. Po shoh nja 14-15 veta janë ndarë.
Këta tre intelektualë e Qazim Llugaxhiu e kishin nga një vëlla a kushëri me vete. Kanë dalë nja 15-16 veta, kanë mbetur në fund atje. Këta e dinë qysh unë e lypi. Kur më lypën mua, i qitën në krahë këta të ministrisë atje. Atëherë e lypën kë e keni pasur komandant të përgjithshëm? Hysen Tërpezën. Atëherë Ademi, pasi pa se i akuzonin, i tha: nuk kemi pasur komandant, por kemi luftuar me çeta. I vetmi që kish dhënë deklaratë për gazetë. Më nuk e pyeti kush. Mbetën ashtu. Hala kësaj i tutna, bre mixhë! Hala kemi hile. Qe 53 vjet Ademi nuk ka folur me mua. A unë e kam ndjekur pas kudo. Zoti Adem, ndalu, bre! Zoti nja…
Adem Gllavica?
– Po, Adem Gllavica. Veç t’i dalë emri. Po Serbia e kish emrin tim, Hysen Tërpeza. Në gazeta tani veç unë Hysen Tërpeza. Ai që ka nisur t’i rrëzojë tri shtete, Bullgarinë, Serbinë, Shqipërinë. Pastaj kanë ardhur krejt gazetarët e Evropës e të Gjermanisë e më kanë marrë. Kish aty përkthyes shqiptarë. Një përkthyes po thotë fol, zotni Tërpeza, e thuaju çfarë grade ke. Thuaju a veç ata me grada luftojnë a? Një ditë shkollë s’e kam, po jam shqiptar e luftoj. Kanë luftuar shqiptarët 1840 vjet. Edhe unë luftoj për kombin, i thashë. Edhe sot më fort mendojnë t’u dalë emri se jo çka kanë bërë.
Sa kohë ndenjët në Greqi?
– Në Greqi ndenjëm katër vjet.
Gjatë asaj kohe si silleshin grekët me ju?
– Mirë. Na çuan pak në Gjirit. Ishim në një kamp afër detit aty. Ishin edhe të Shqipërisë së vjetër, nja 600 veta. Ka pasur edhe amerikanë. Kishte edhe austriakë aty. Serbët kishin bërë përpjekje që t’i bindnin se këta njerëz janë të Jugosllavisë e t’i mbajnë vetë. Edhe grekët ia mbanin anën Serbisë. Komandanti i kampit kish qenë i sertë. Na kanë mbledhur tubë ne. Çka jeni? Unë u thashë kosovarë shqiptarë. Mos rrini me serbë. Besa filluan të ndaheshin disa. Ish përkthyes një Sejdi Banja. E ditke ai greqishten si ne serbishten, në kufi me grekë. Dikush kish thënë se ky është ai që po kundërshton. E unë i thashë ne nuk jemi serbë, po jemi shqiptarë. Ne nuk rrimë me serbë. I kishin çuar disa me serbë në Amerikë. Në një vend i kishin çuar, se janë jugosllavë. U mrrol ai, se kish qenë i sertë. Më tha mos bëj propagandë këtu.
Më tha a ke lind aty në Jugosllavi? Ti je jugosllav. Çka do ti? Do të shkosh me jugosllavë. Bre, bëhet, bre s’bëhet. Unë i thashë: Zotni, thuaji zotni komandantit a je grek ti? Tha po. I thashë unë jam shqiptar. Atëherë qenkan gjermanë. I thashë kam lindur në Jugosllavi, po ajo asht tokë imja. Sikur ty që të ka lindur nëna këtu. Bërtiti e tha ndahuni ju shqiptarët. Unë i kam tërhequr ata që kanë shkuar përpara në Greqi. Ademi tha na e humbi Kosovën. Tha duhet të themi ne jemi Jugosllavi, po në tokë tonën e duhet të lirohemi. Po së pari duhej thënë je shqiptar. Shumë kanë gabuar. Ty nuk të lëmë të shkosh nga Gjiriti. Unë isha shkruar komandant. Atje tha njerëzit punojnë me kazma. I thashë me këta njerëz do të shkoj, me kazma, me kazma. Në borë e në shi. Po të mos ishin këta njerëz, unë nuk isha gjallë. I telefonoi Tiranës. I paskan thënë, ky nuk ndalet, veç nëse e vrisni. Kur shkuam atje na ndanë. 28 veta, krejt kosovarë, kemi qenë në një japi. Ajo shtëpi ish dy kate. Po kati i epërm ishte mbyllur. Kati i poshtëm ish i madh. Nuk di, veç zoti na shpëtoi, se atje toka kish qenë krejt pa punuar. E kishin minuar fushën e nuk guxonin ta punonin. Grekët mbyteshin përditë nga minat, po asnjë shqiptar nuk u mbyt. Shkonin e punonin. Ka bërë vaki i ka rënë bombës me kazmë, po nuk ka krisë. Nafaka. Pas pak kohe i kam vizituar edhe të Shqipërisë e të tjerët, 800 veta. Kishte ardhur një hingliz, gjeneral Krispi, a nuk di. Ai kishte ardhur prej Prishtine e me ka lypur mua aty. Erdhën të më merrnin. Erdhi urdhri. Grekët po duan të na mbysin. Mileti u ngrit krejt. Më thirrën mua. Erdhën dy automjete me policë, hajde se nesër në sabah po të lypin diçka. Na kanë ruajtur shumë. U dashke me vapor të shkonim diku. Unë i lashë shokët e mi krejt. Hipëm në vapor. Larg është. Kur shkova atje ishin edhe 700 veta të Shqipërisë. Ishin krejt paria, këta të Ballit ishin. Kështu, duke u shtyrë ndër vete, ai parti, ai tjetri parti. Mithat Frashëri ishte në Itali. Abaz Ermenji ishte aty. Po ish lidhja me ta. Ky që ish aty, po thotë, veç ai dhe unë, e tjetër nuk ka aty.
Abaz Ermenji ishte Balli, a?
– Po, kryetar i Ballit. Njëherë, me të rri pak, e mandej të çojmë në kamp. Paria krejt ish aty. Ata e kishin një odë veç aty. Ermenji ishte aty. Mua më ka kolovit shumë, por e pashë që ish shumë gabim. Ai komandanti i policisë aty po më thotë: Ti po shkon në kamp, po mos u përziej fort në politikë.
Ty po të thotë?
– Po. I thashë politika ime është kundër komunizmit. S’kam tjetër politikë. Nejse, kur shkova dolën e më pritën mua. Muharrem Bajraktari, Përvizi e shumë të tjerë. Të të gjitha partive. Edhe Abaz Ermenji, mirë më priti mua. U thashë u bë mirë që u shkolluat e nuk jeni më me ato mend. Unë shoh. Jeni tash tjetër. U thashë jepni zor, se do të na i mbytin shokët atje. Mua, a po më shihni. Unë kam fjetur në vreshta të rrushit. Mua ma dinin emrin. Më thirrshin me emër. Ka zot. Prapë i ri isha. Ai Ermenji i tha Bajraktarit, shih çka tha zotni Tërpeza. Ama unë i vizitova krejt. Edhe ata të Shqipërisë i kam vizituar krejt. Ai vend është i madh, sa prej Kosove me Shkup e me Kumanovë. Në Gjirit ka vdekur një djalë i hallës. Ne na shpërndanë. Ai ka qenë në tjetër vend. Duke shkuar në punë, një oficer i veshur, e paska njohur, Bajram e ka pasur emrin.
Këtij i paska pas mbetur buka në fyt kur ka qenë tek unë. Ky me ata tre patën ndenjur në shtëpinë tonë tri net. Po thotë ai oficeri: në shtëpi të këtij njeriu më ka pas mbetur buka në fyt. Unë nuk e njoha, se atëherë ka qenë në tesha civile. Tash ishte me tesha ushtari. Ai e pyeti Bajramin ku është ai (për mua). Ia jep adresën. Pastaj ai më lypi mua. Unë dija të shkoja, po ka ardhur një oficer tjetër, një Krispi, anglez. Njëherë anglezët e humbën luftën, po mbasandaj kanë bërë punë.
Vallahi, u tha Abaz Ermenji, ashtu sikur jemi këtu. Po i thotë Muharrem Bajraktarit: Zotni kolonel, a po dëgjon çka po thotë zotni Tërpeza: na i mbysin shokët. Çohu e shkojmë në Ministrinë e Jashtme e le të japin urdhrin le të na shpëtojnë shokët. Ai po thotë e di vetë unë! U dukej sikur po u bie vlefta nëse shkon në çdo derë. Ta bëjmë një letër e të shkojmë bashkë. E kemi edhe zotni Tërpezën me vete. Ka qenë njëfarë Qirka avokat. E njihnin të gjithë atë grekofil. Po shqipen e ditke perfekt. E kuptova unë mirë pse nuk po shkon me kallaballëk Bajraktari. Se po i bie poshtë emri nëse shkon me kallaballëk. Thotë, vetë jam unë.
Të nesërmen u avit Ermenji. Zotni Tërpeza, çohum se po të shoh që ti po përpiqesh, e marrim avokatin Qirka e shkojmë në ministrinë. Shkuam, e morëm avokatin menjëherë. Kur kemi hyrë në Ministrinë e Brendshme, deshi Zoti nuk qe aty ai greku që e njihja nga Kosova, se kish qenë oficer i shtatmadhorisë, ka shkuar në krahina të tjera. Të kish qenë aty ai do të kishte treguar sa shokë tanë janë vrarë për ta shpëtuar oficerin e tyre. Ai ka thënë se shqiptarët i kemi komshi e kanë luftuar për ne. Ai thotë se turp është për ne t’i lëmë e t’i vrasin atje shqiptarët. Dha urdhër shteti e i prunë krejt aty. Në një vend ku ishte Adem Gllavica, ishin 50 kosovarë me të. Kam shkuar. Nuk ka ardhur të takohej me mua. Kanë qenë do të Okllapit, Jetishi e Rexhepi. Unë i pyeta qysh është zotni Ademi? Fola mirë për të. U thashë këtyre se ishin shumë që punonin, ju t’i jepni nga pak drahmi Ademit të gjithë. Ai është intelektual, bre. Thoni Ademit se ai Hyseni po mendon edhe për ty, po nuk erdhi. Aty më ndalën e më kanë bërë shumë muhabet. Ai njeri që do të bëjë veç emër kujt i duhet. Pse mbeti vetëm. Pastaj u martua me një gjermane. Ibrahim Kelmendi u martua me një angleze. Luan Gashi u martua me një greke. S’ka pyetur më kush për ta. Unë, nuk është për të thënë para burrave, më nuk kam qenë për femra, se jam prishur. Doktorët ma kanë tërhequr vërejtjen. Isha i shëndoshë, por mos të marrohem, isha prishur. Po s’jam pishman. Punë e madhe, gjallë jam!
Sa ishit në Greqi a e takove?
– Po. Në Athinë e takova.
Mbasandaj a jua dha krahun?
– Po, po. Na ka ndihmuar. Pastaj mua më bëri edhe politika më të njohur. Mua për të ma dhënë emrin më të madh, ma dha Jugosllavia. Duke më akuzuar, ma dha emrin e madh.
Mbas katër vjetëve, ku ju qitën?
– Na çuan në Itali.
A krejt komplet, a veç e veç?
– Jo. Krejt komplet. Do i çuan në Gjermani. Në Itali u bë Komiteti…
Terpezë, tha, të kam thirrur dhe po flet me sukses. Do të takohesh në një mision me shumë sukses. Hajrli qoftë! Unë e kisha marrë vesh pak. U ngushtua situata shumë. Në çdo mënyrë Amerika vendosi ta bënte punën e vet. Amerikanët u munduan që edhe mua të më bindnin, por unë u thashë se me serbët nuk punoj. Abaz Kupi kishte një emër. Nënkryetar i Komitetit edhe ai. Po më vjen turp ty me të thanë bre. Kur më ka thirrur, më tha: Tërpezë, do të ngarkohesh me një mision, do të shkosh në Beligrad. Tybe istikfa. Do të takohesh me Titon. Gojarisht do të bisedosh. Do të të presë mirë. Tha, ta përzëmë këtë farë bërlloku e ta shkelim. I thashë unë pranoj vdekje njëqind herë, se një herë të vdesësh nuk është kurrgjë. Njëqind herë të më vrasin e të më ngjallin, të më vrasin e të më ngjallin, me terror nuk pranoj. S’ka nevojë të më garantojë kurrkush. Mua le të më presë Tita me ushtri. Le të ma qesë ushtrinë, po le të më shëtitë nëpër krejt Kosovën. Unë jam betuar. Unë dua të vdes me nder. U prisha unë me ta. Mandej as nuk flisja kurrgjë. Unë e kisha kuptuar, çka kishin ndër mend. Të marrin ushtrinë nga të gjitha, nga Sllovenia, nga Kroacia e krejt t’i përziejnë aty.
Këta të Shqipërisë, i kishte 6-7 vjet që më kishin kapur mua. Hajde se ti kishe qenë patrioti më i madh. Ju kosovarët e kishit pas njohur serbin e ne jo. Në Evropë kam qenë dy herë. Hajde ti e bisedojmë, se Kosova do të bashkohet për 50 minuta me Tiranën. U hap fjala se unë nuk luftoj për ide, por për komb. Edhe njëmend ashtu ishte. Unë nuk pranoj. Çka ka bërë, kur dhashë dorëheqje unë, se u prish puna krejt, u hallakat. Shqipëria ka rënë në kontakt me Kosovën. Ne nuk mund ta mashtrojmë. Ju mund ta mashtroni po i thatë që Kosovën e bashkojmë me Shqipëri, por ai me serbë nuk punon. Qysh doni të jetë me ju, kur ai me serbë nuk punon. M’u tekën mua ata! Kishin shkuar 7-8 vjet.
Kisha dëgjuar me fjalë se pa i rënë lumit, s’mund ta kalosh. Me frikë s’mund e kalon, po mbytem a po mbytem. Më kishin bërë një pasaportë. Merre pasaportën amerikane, se në Athinë po duhet të shkosh. Andej e kam pasaportën unë, kishe jam prej Shqipërisë. Pritja aty ishte madhështore.
Me çfarë emri shkove?
– Me tjetër emër.
A e mban mend emrin?
– Jo, ebu! Çka po të duhet? Mos hyn aq thellë! Unë, kur shkova në Athinë, ishte natë, ora nëntë e gjysmë. Me pasaportë amerikane hipa unë. Hala pa zbritur, pasaportën amerikane e futa në kundër. E kallëzoj atë tjetrën, që është false. Në Janinë ishim.
Në vitet ’80 ka qenë a?
– Po. Para të ’80-tave! Një ditë pa shkuar unë, i kishin pas përzënë edhe kinezët nga Shqipëria. Më kallëzoi njëri. Tha dje janë hequr kinezët. Më çuan në një hotel, po ia kishin hequr ato shkronjat. Ish ajo ndërtesë tre-katër kate.
Po në paça fjetur, më sa ju në paçi ardhur atëherë aty! Më hyri një frikë e madhe. E kisha pasaportën amerikane, ama po bëhen marri, isha gati 90 vjeç. Thashë, në dorë të zotit! Shkova me taksi në aeroport, por tha vonohet dy orë avioni. E lashë aty një valixhe të vogël. Po sillem aty, se mua më njohin emigracioni sikur paren e kuqe. Aty ka plot kosovarë e të Shqipërisë, të martuar me greke. Erdhi dikur avioni. Hipëm.
U takuam me parinë. Kemi shëtitur në të gjitha qytetet e nëpër krejt kalatë e Shqipërisë. Edhe në Butrint ishim. Në Tiranë varrezat e dëshmorëve i kishin rregulluar fort bukur, si lulishte. Shkuam ta vizitonim shtëpinë e Enverit. Hala gjallë ish Enveri. Mua më thanë është i sëmurë e ka shkuar në një shtet tjetër. Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu kishin qenë prishur ndërmjet vete. Kemi shkuar dhe e kemi parë edhe shtëpinë e lindjes të Enver Hoxhës, e kishin bërë muze! E kam përkundur kështu djepin e Enverit. Kam ndenjur 18-19 ditë. Ngadalë, më tha Kadri Hazbiu. Rrimë edhe ndonjë ditë. Jo, i thashë, se duhet të shkoj në Amerikë.
Nuk vonoi tri-katër ditë, krisi bomba në Tiranë. Kisha dalë e po ecja. Au, ku je, Terpezë, bre! Lum Kosova që të ka, bre!
Qysh u bë të kriste bomba, mbasi kishte dy-tri ditë që ju ishit kthyer në Amerikë?
– Nuk di unë. Unë bombën s’e kam qitur. Po unë kam qenë e kam këqyrur ambasadën. Kish qenë kollaj të qitet, se ishte si shpat. Tirana ka shpate. E kam këqyrur si ka qenë vërtet kollaj të qitet. Kam bërë diçka për Amerikë.
Mua katër vjet nuk më linte të hyja në zyrë Mustafë Xhemaili. Ky është tradhtar për Shqipëri, ka thanë. Tash miku më i madh. Ka shkruar libër. Ka bërë fotografi timen me të veten. Ka dalë në fotografi edhe me vajzën time kur ma kanë festuar ditëlindjen.
Kemi pas tubuar pare e ia kemi dhënë Bujarit. Hajde se kemi qeveri e po luftojmë?
– Kam dëgjuar. Unë e kam pas kuptuar se amerikanët kanë thënë pa luftuar Kosova, ne nuk mund të bëjmë gjë. NATO-ja nuk është veç për ne shqiptarët, por për gjithë botën.
Rugova ka rrëshqitur shumë. Ka shkuar Hollburku e i ka thënë çohu. Merru vesh me UÇK-në. Jo, unë jam njeri i paqes e jo i terrorit. Ata po mbrojnë pragun e derës, familjen e vet. Jo, unë jo, po thotë ky. Unë, thotë, jam kryetar. Ai Thaçi s’ka pritur tri minuta e ka thanë, unë jam kryetar. Po këta nuk janë asnjëri. Kryetar është ai amerikani. Këtu është duke u kaurdisur punë e madhe, o djem. Unë nuk di sa ju, po jam gati, se i di do gjëra. Unë i kam mbërritur do gjëra t’i di e ju nuk i dini. Amerika mendon ndryshe, por nuk i qet. E ne mendojmë ndryshe. Mirë u bë kjo tash. Por, shumica e shteteve të Evropës kanë qejf që Kosova të mbetet nën Jugosllavi. Amerika nuk do ashtu. Franca ka qenë besnike e Rusisë dhe ashtu është prapë. Këto gjëra janë të thella, pasha mixhën. Sa më shpejt duhet t’i jepet zor e të ngjallet populli shqiptar. Të formohet qeveri. Të mos lihet në batak puna. Armiku nuk rri. Ai punon. Kur kam folur në Gjilan e në Ferizaj, u kam thënë se Sllobodani po thotë se hala nuk e kam humbur luftën. Rugova është gjallë. Çka i kam thënë në Tiranë, i ka dalë ashtu. Ka qenë aty edhe Sali Berisha, edhe Bukoshi e do të tjerë. Me thanë, fol Tërpezë. Çka të flas? Ju po përpiqeni për paqe.
Serbia nuk e lëshon me paqe. Unë jam zero para jush, të gjithëve, por e di kush janë serbët. Ai serbi nuk e lëshon pa gjak. Luftën e Kosovës nuk e ka fituar Serbia, po Turqia. E ka bërë fitore Serbia me propagandë. Ka ndërtuar monumente. Tash po bën monument të car Llazarit edhe në Gjilan. Po ndërton monumente edhe arave e livadheve. I kam parë.
Erdhi Sahit Kryeziu, gjakovari, intelektual i fortë është ai, na vizitoi. Ta bëjmë një Komitet. Mirë. Mua si kosovar më thërrisnin. Mbeta. Kur dëgjova u formua komiteti. Erdhi një polic i Italisë me një letër në dorë. I lyp tre veta të Shqipërisë, unë i katërti. Thotë ju kanë thirrur në Romë. Hipëm në tren. Kur shkuam në Romë, na ka dalë përpara një shqiptar, na ka çuar në hotel. Ne na paskan thirrur për ta njohur komitetin.
A mbajtët një herë komitetin? Kush u zgjodh?
– U zgjodh Mithat Frashëri. Patëm dëgjuar hala pa shkuar. Pastaj u caktua ekzekutivi. Konsultativi. Kosovarë nuk ka asnjë. Na kanë thirrur ne. Sahit Kryeziu kish qenë i shkruar që është i Shqipërisë. Edhe ata e kishin bërë një parti të vogël diçka. S’e qiste zërin fort, se e vriste ndërgjegjja, sepse Gani Begin e kanë pas akuzuar atëherë në Kosovë, që është me serbë. Unë nuk kisha mbështetje me askënd. Hymë në një sallë të madhe. Po thonë, shokë, ju kemi thirrur ta njihni Komitetin. Po shikoj unë te fotografitë, nuk shoh asnjë të kosovarëve. As Isa Boletini, as Bajram Curri. Nuk shihet kurrkush. Po flasin se janë gëzuar shumë. Tre ishin para meje, unë i katërti. U çua ai sekretari i komitetit që e kanë bërë. E mbante librin në dorë. I pyeti këta para meje njëherë dhe erdhi tek unë, tha me leje, zotni Tërpeza. U çova në këmbë. Thashë, me leje, unë po të them ty, do t’i flas nja dy-tri fjalë. Tash falë zotit që dëgjova që u formua Komiteti Shqiptar Shqipëria e Lirë. Unë po dua të pyes, a jemi ne Kosova shqiptarë, a jo? Si jo more! Po unë nuk po shoh asnjë foto të kosovarëve. Unë e di sa shumë kosovarë kanë dhënë jetën për këtë Shqipëri.
Unë jam një ushtar i thjeshtë. Kosova mendon si unë. U çua Selim Domani, shkollar i fortë. Ai tha Kosova është direku i kombit. Hesapet e veta nuk po duan t’i qesin në dukje. Djepi i shqiptarisë është Kosova. Unë do ta jap një firmë, por kosovarët do të alarmohen, si mundet të mos jetë asnjë kosovar aty në Komitet. Ata shqiptarë që ishin me italianë e me gjermanë e humbën luftën. Do i çuan në Gjermani. Amerikanët e anglezët mundoheshin gjithqysh të bënin diçka që të përziheshin në Shqipëri. Na e caktuan neve njëfarë rroge të vogël. Hala pa na çuar në Itali, mua më thirrën anglezët. Unë s’po di gjë! Ata i kanë dhanë karar (janë marrë vesh).
Janë munduar të më shtyjnë të pajtohem me Serbinë. Anglez e amerikanë janë munduar, por s’kam pranuar. Ky ka luftuar e ka bërë emër. I ka luftuar tri shtete. Bullgarinë, Serbinë e Shqipërinë. Me serbë nuk punoj. Me shqiptarë, edhe po qenë komunistë, punoj. Na shkruan aty. Zyrtarisht thonë, grupi imunitar! Sekret ishte shumë. Më pyesin krejt. Anglezë janë. Thotë do të ngarkohesh me një mision. Është në interesin e kombit shqiptar. Përkthyesi është slloven. Unë serbishten më mirë se shqipen. E kam mësuar kur kam qenë jesir. Herë i bën ashtu dy gishta, herë tre. Thotë ti herën e parë do t’i gjesh në Turqi. Dy veta janë pak, tre janë shumë. Sillet për tre. Ia kam dhënë unë. S’po di unë asgjë. Thotë, shoqi që ke me vete, nuk duhet të dijë asgjë për këtë punë. Ai merr një rrogë e shkruan aty. Aty jam mësuar të shkruaj edhe unë. Duke na folur goxha shumë. Dikur po marr vesh që është diçka sekret. Ai shoqi yt nuk bën të dijë se ka grua. Çka nuk ndodh ndërmjet burrit e gruas. A i prishin marrëdhëniet a diçka! Kjo është shumë sekret. Kjo kish qenë qysh të mund të zihet Deti i Zi diqysh. T’i gjej unë dy veta besnikë në Turqi. Kam dëgjuar, njëri ka vdekur frik, mbasi e kanë marrë këta Detin e Zi, por njerëzit e tij janë bërë milionerë. I ka paguar Amerika. Ai ka qenë i zoti. E kam pas njohur atë qysh kur kam bartur duhan. E ka pasur emrin Emin. Ka qenë i katundit atje te Kopilaça. Emin Bresti ka qenë. Ai ka qenë me emër. Qe bërë pasanik i madh. Moti kanë dalë prej katundit, janë në qytet. Në Shkup, a nuk di! I treti nuk i ka dhënë rëndësi fort. Ai ka vdekur moti. Ky frik ka vdekur. Malinë e ka pasur katundi emrin. Ka ardhur një djalë i tij këtu. Kushëriri i tij m’i pruri do cigare.
Dikur u mor vesh puna. Në politikë atdhetari më i mirë bën vaki mashtrohet. Politika të mashtron. Në e bëmë Komitetin atje më 1961. Erdhi Xhafer Deva atje. Rexhep Krasniqi ishte kryetar i Komitetit. Xhafer Deva ishte aty. Ruhej nga pak prej tij. Xhaferin e pranoi mbreti Faruk i Egjiptit. Me ligj, mbasi Egjipti nuk ka qenë në luftë, këtë e kanë bërë shtetas egjiptian. Emrin Daut Ibrahim ia kanë bërë. E nuk e kapi ligji. Erdhi në Romë. Unë pata rënë në kontakt me oborrin mbretëror. Qenë mbytur do njerëz atje dhe mua më ngushëlluan. Njerëz të Zogut. Më kanë shkruar, po thotë lartmadhnia, me Xhafer Devën shko mirë. Menjëherë e ka lëshuar rrugën. Kur erdhi këtu, menjëherë u lidh me italianë. U lidh me Gjon Markun. Unë i kam pasur iri. Italia e ka zyrën në Bari. Haptas është kundër Shqipërisë. Njëherë jam zënë me italianë, por një oficer amerikan po më thotë, mos u ngut, se këta e kanë shtetin në dorë e të qesin prej Italie. Na vyejnë këta hala neve. Ka qenë njëfarë Vasil Kruja e më ka dashur fort. Ai i ndreqi punët, se keq isha bërë me ta. Çka sillesh ti këtu?, më thonë. E unë jam atje, në Komitet. Shumë jemi shqiptarë. Po thotë, këtu jemi në Itali. Shqipëria, tha, është Itali. Është e jona. Kurrë jo, i thashë. Pata filluar ta mësoja italishten. Po Vasil Kruja po më thotë, mos u ngut! Shkova i kallëzova kryetarit, po edhe ai më tha mos u ngut se të qesin prej këtu. E kanë shtetin në dorë e nuk kemi çka bëjmë. Na e prishin punën. Ne kemi qejf të të kemi këtu, se na duhesh. U mbyll ajo punë.
U lidhën të çojnë njerëz me italianë në Shqipëri. Shkuan do Kabash e do të tjerë e unë e mora vesh. Ka qenë njëri prej Drenice, e atij i thashë, e di, por mbani mend, se jeni gabim. Mos shkoni. Po më thonë, po të ishim ne, ty nuk të kishim thënë mos shko. Po thonë se kjo është në interes të Kosovës. U thashë unë nuk shkoj, se kjo është për interesa të huaja. Shkuan ata dhe u vranë atje. U vra një prej Prizrenit e dikush tjetër.
Atëherë, hajde, se do të formohet Lidhja e Prizrenit.
Po më thërret Rexhep Krasniqi! Më thotë, ka telefonuar Deva; më ka thënë fol me Tërpezën. Po, thashë, ani mirë. U gëzova unë. Lidhja e Prizrenit ka emër. Kanë vendosur krejt qysh të bëhet kongresi. U mbajt kjo, si konsultë. Xhaferin e kanë lënë kryetar e mua nënkryetar. Kur erdhi e më thirri Rexhepi, po thotë ti je nënkryetar edhe zëvendës i kryetarit. Xhaferi ka qenë i zoti. Unë kishe për të nënshkruar, se ai i tutet emrit fort. Nejse, edhe mua më doli një emër. Kur po shoh, emigrantët e Shqipërisë së Vjetër nuk pranohen anëtarë aktivë, por vetëm anëtarë nderi. Mixhë, bre, kjo është tradhti! Do emra të njohur të Shqipërisë nuk i kanë lënë anëtarë aktivë, por anëtarë nderi. Po i shoh aty me rend. More mixhë, po thonë, kjo është tradhti. Unë menjëherë fola e po u them se anëtar nderi mund të shkruajmë edhe ndonjë serb. Kur shkova në Komitet, asnjë fotografi prej parisë së Kosovës, që janë vrarë e kanë vdekur, që kanë luftuar.
Unë i thashë, zoti Krasniqi, nuk pranoj. Na paskeni ndarë. Ne vetë nuk po e pranojmë që të bashkohemi me Shqipëri. Unë në mal e kam deklaruar Komitetin e Shkupit. Me këtë veprim po e bëjmë që nuk jemi një komb. Ngadalë, ngadalë, por ai s’pranoi hiç. Telefonoi me Devën e andej këndej. Po thotë, ngadalë e mos të hallakatemi, ta lëmë këtë, se e kemi bërë për pesë vjet. Kur të vijë tjetri Kongres, e bëjmë qysh të thuash ti. E pranova. Kur erdhi puna të bëjmë Kongresin e Dytë, s’e kanë prishur hiç. Unë dhashë dorëheqje. U thashë unë e ndjek programin e Lidhjes së Prizrenit që e ka pasur më 1878. Mbeti ashtu puna. Këtë e begenisen edhe amerikanët. Po ata nuk e qesin ashiqare. Ata thonë, në qofshi ju të zotë, zoti ymër ju dhëntë, tash jeni shkollarë, kurrë më të fortë punën nuk e kemi pasur. Unë shkollë nuk kam, por gjërat që i di unë, ju nuk i dini. Ata e kanë vendosur që linjën ta kenë në dorë shqiptarët. Shqiptarët të bëhen rojë kufiri për krejt Evropën. Me dredhitë e Serbisë e të Bullgarisë janë lodhur amerikanët. Kemi luftuar 1840 vjet. Shtet s’kemi mundur të bëjmë, se kemi qenë pa shkollë. Sot jemi me shkollë, por jemi po ata. Punuam ne. Adem Demaçi më ka shtruar edhe drekë. Kam folur edhe kundër Adem Demaçit. Se njëri aty thoshte që edhe me autonomi bëhemi idare. Rugova thotë, shtet i pavarur, as me Shqipëri e as me Serbi.
Si Hani i Dilit, me dyer hapura?
– Ju e keni parë që nuk jam në rrugën e gabuar. Kurrë nuk kemi qenë më të fortë se sot. Amerikës nuk i pëlqen as republikë, as autonomi, as shtet i pavarur. Ashtu që nuk je as me Shqipërinë, qysh është, me kurrkënd. Ata e duan një Shqipëri etnike. Me atë fjalë më nderojnë. Unë jam i vogël para presidentit të Amerikës. Mirëpo kemi kaluar rrugën dhe kemi dëshmuar se jemi popull trim. S’kemi pasur shkollë, por tash jemi në gjendje të formojmë shtet dhe të mbajmë shtet.
Mbaroi lufta në 1945-tën. Nuk shkon larg dhe do ta ndajnë edhe Malin e Zi! (biseda është bërë para së të ndahej Mali i Zi, v.j.).
Edhe Vojvodinën, edhe Sanxhakun?
– Krejt këto janë përpjekje të Amerikës. Një nga një! Krejt e kanë shkelur Ballkanin me këto punë. Lidhja e Kombeve u nda. Me Varshavë shkoi gjysma, e gjysma mbeti këtej. Lidhja do të bëhet bashkë ku ka qenë.
Hebrenjtë kanë qenë 1600 vjet pa shtet. U bë Izraeli. U bë edhe miku më i madh i Amerikës. Të fortin e do gjithkush.
Axha Hysen, në Itali, sa ndenjët ju?
– Në Itali kam ndenjur gjashtë vjet.
Mbasi shkuat ju, a mbeti dikush prej jush në Itali?
– Jo! U shpërndanë krejt.
Nga u shpërndanë?
– Do shkuan në Gjermani, do në Turqi. Mileti u shpërnda!
Në çfarë viti shkuat në Amerikë?
Unë në Itali e kam marrë shtetësinë amerikane. E kam marrë më 1961. Mbeta në atë misionin Monitor më 1975-76. Të gjithë kanë këqyrë interesin e vet.
(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Fund) /Epoka e re/