Serbia përdor ‘dialogun si formë të luftës hibride’ që të defunksionalizojë shtetin e Kosovës deri në ndarjen përfundimtare të saj
Shkruan: Shyqyri Haxha
Çfarë analistësh janë ata që nuk janë në gjendje ende të zbërthejnë strategjinë e Serbisë në raport me Kosovën, kur bëhet fjalë për dialogun. Janë disa parime bazë që dëshmojnë qartë se Serbia ka qëllim ta dështojë dialogun me Kosovën:
1. Serbia në kushtetutën e saj ende konsideron Kosovën pjesë të saj.
2. Serbia haptas dhe zyrtarisht, në çdo takim ndërkombëtar, proklamon se Kosova është pjesë e Serbisë.
3. Serbia zyrtarisht, në çdo instance ndërkombëtare, vazhdon ta quajë Kosovën si ‘Kosova dhe Metohia’.
4. Minoriteti Serb që jetojnë në Kosovë, janë qytetar të Kosovës, dhe ata kanë përfaqësuesin e tyre që patjetër do duhej të marrin pjesë në bisedime. Beogradi duhet të jete vetëm pale vëzhguese, dhe asnjëherë palë vendimmarrëse për qytetarët e Kosovës.
5. Ndërhyrja e Serbisë në Kosovës, në çfarëdo formë, si përmes sistemit bankar, juridik, arsimor, infrastrukturor etj, është cenim i integritetit dhe rendit kushtetues të Kosovës. Këtë Serbia e bënë në vazhdimësi, edhe sot.
6. Serbia gënjen haptas rreth të drejtave të Serbëve në Kosovë, sepse bashkësia ndërkombëtare, respektivisht, BE është prezent në Kosovë dhe vëzhgon të drejtat e Serbeve 24/7 në 25 vitet e pasluftës. BE-ja ka mundësi ta demantojë Serbin në çdo instancë ndërkombëtare.
7. Qytetarët që jetojnë në Kosovë janë pjesë e sistemit juridik dhe kushtetues të Kosovës, prandaj në rast se të drejtat e tyre cenohen, atëherë i kanë të gjitha mjetet juridike që të mbrojnë të drejtat e tyre në Kosovë. BE-ja është prezent në Kosovë dhe mund të vëzhgojë çdo cenim të të drejtave të minoritetit serb në Kosovë.
Pra janë fakte të pamohueshme që dëshmojnë se Serbia është duke ‘blerë kohë’ që përmes dialogut si armë e ‘luftës hibride’ të defunksionalizojë shtetin e Kosovës. Serbia ka pretendime ekspansioniste ne Ballkan, kjo tashmë është vërtetuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Posaçërisht ndaj Kosovës, këto pretendime i ka zyrtarisht edhe në kushtetutën e saj.
Qëllimi i Serbisë është që të pengoj funksionalizimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës, dhe këtë e bënë përmes, kinse duke u kujdesur për Serbët që jetojnë në Kosovë. Pra qëllimi saj është që; shteti i Kosovës të harxhojë të gjithë energjinë rreth dialogut, si dhe të pengoj ecjen e Kosovës drejtë BE-së.
Serbisë i konvenon dështimi i dialogut në çdo fazë, asaj i konvenon dialogu i PAFUND, sepse përmes luftës hibride ajo është duke arritur që ta mbajë Kosovën nën tensione në vazhdimësi dhe ta dëmtojnë reputacionin e Kosovës, si në anëtarësimin e saj në instance ndërkombëtare dhe në raport me investimet ndërkombëtare. Pra Serbia do ta ‘lodhë Kosovën’ deri në shkatërrim total.
Në anën tjetër Serbia është duke pranuar fonde dhe investime marramendëse nga BE, Kina Rusia si dhe ka arritur që të përmirësojë raportet me ShBA-në. Pra Serbia po ‘thith’ nga të gjitha anët.
Kosova duhet të di se si të ballafaqohet me ‘luftën hibride serbe’, dhe të arrijë të zhvillohet dhe prosperojë, duke ruajtur integritetin kushtetues në gjithë vendin. Natyrisht, që të arrihet kjo, duhen angazhuar të gjitha potencialet dhe resurset humane si brenda ashtu edhe jashtë vendit.