Serbia përgatit spitale në Kosovë për serbët e infektuar me COVID
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën, Marko Djuriç, ka thënë se pushteti serb ka nisur shndërrimin e disa zonave në spitale, që do të trajtohen rastet e të infektuarve me koronavirus.
Djuriç pretendon se në disa zona të Kosovës kanë dërguar shtretër për t’i trajtuar të infektuarit serb me koronavirus. “Nëse vjen deri te infektimi me koronavirus, gjegjësisht sëmundjes nga COVID 19, në spitalin e Pasjanit është pajisur një pjesë për izolim me 11 shtretër” , ka thënë Djuriç.
Ai ka thënë se në zonat e Kosovës ku jetojnë serbët janë shpërndarë 1 100 maska mbrojtëse, barëra si dhe tre tonë miell. Në Obiliq dhe Kllokot gjithashtu janë ndihmuar disa familje, derisa në rajonin e Pejës, Fushë-Kosovës dhe Lipjanit janë ndarë 60 paketa të tilla dhe në Pejë 40, njoftojnë mediat serbe për deklaratat e tij.
Kujtojmë se autoritetet në Kosovë janë kritikuar shumë që kanë lënë pushtetin serb të vendosë për Mitrovicën e Veriut dhe se ora policore e qeverisë serbe po respektohet atje.