Serbia, përveç njohjes së shtetit të Kosovës, s’ka rrugë tjetër

03 qershor 2018 | 16:12

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSh), Ragmi Mustafa, të premten u ka bërë thirrje Kosovës dhe Shqipërisë të përkujdesen më shumë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nuk ka ndonjë përparim për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë.

“Shqiptarët janë ende në pritje për realizimin e të drejtave të tyre në të gjitha fushat, sidomos në përdorimin e lirë të gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, teksteve mësimore, si dhe lëvizjes së lirë. Një problem tjetër është shkalla e zhvillimit ekonomik e cila është mbase më e ulëta në Ballkanin Perëndimor. Për këtë një numër i madh i të rinjve po migrojnë drejt Kosovës, Shqipërisë si dhe vendeve të Evropës. Ky është projekt i Serbisë që po zbatohet për të krijuar pasiguri te shqiptarët dhe për t’i përndjekur ata me metodat më të moderuara drejt vendeve të treta në mënyrë që ky vend t’u mbetet serbëve pa ushtrimin e një lufte të armatosur. Fatkeqësisht, Lugina ka një kujdes minimal të Qeverisë së Shqipërisë dhe ende më minimal një kujdes të Qeverisë së Kosovës”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria duhet të angazhohen që shqiptarët në Serbi t’i kenë të drejtat e barabarta me serbët në Kosovë.

“Kosova dhe Shqipëria kanë mundur ta ndihmojnë Luginën e Preshevës në fushën e arsimit, të papunësisë dhe zhvillimit ekonomik. Megjithatë, përveç nga 50 mijë euro që i patën dhënë për ngritjen e maternitetit, nuk ka pasur ndihmë tjetër. Ne jemi shumë falënderues edhe për këtë ndihmë, por kemi nevojë që ndihma dhe kujdesi të vazhdojnë. Lugina ka nevojë për projekte që mundësojnë hapjen e vendeve të punës, sidomos në zhvillimin e bujqësisë dhe tregtisë. Këto janë të domosdoshme për t’i mbajtur gjallë shqiptarët në Luginë”, ka theksuar Mustafa.

Ai ka thënë se bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje historike nuk mund të zgjasin deri në pafundësi.

Sipas Mustafës, ka ardhur koha që dialogu të përfundojë me njohjen reciproke në mes të dy vendeve. Ai ka deklaruar se Serbia nuk ka rrugë tjetër përveç njohjes së shtetit të Kosovës.

“Përfundimisht Serbia nuk ka rrugë tjetër përveç njohjes së shtetit të Kosovës. Çdo zgjidhje tjetër nuk do të ishte e frytshme dhe nuk do të ofronte stabilitet në rajon, por do të hapte një perspektivë të shëndoshë për t’i vazhduar diskutimet për pakicat kombëtare në të dy shtetet fqinjë”, ka deklaruar Mustafa.

“Epoka e re”: Z. Mustafa, si është gjendja në Luginën e Preshevës, ka përparim në avancimin e të drejtave të shqiptarëve?
Mustafa: Gjendja nuk ka ndryshuar sepse nuk ka ndonjë përparim për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Pavarësisht prej miratimit të një shtatëpikëshi që kishte dhënë Qeveria në vitin 2013, për të cilin Vuçiqi e Daçiqi premtuan se do të jetë lehtë i realizueshëm, nuk ka asnjë lëvizje. Shqiptarët janë ende në pritje për realizimin e të drejtave të tyre në të gjitha fushat, sidomos në përdorimin e lirë të gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, teksteve mësimore, si dhe lëvizjes së lirë. Një problem tjetër është shkalla e zhvillimit ekonomik e cila është mbase më e ulëta në Ballkanin Perëndimor. Për këtë një numër i madh i të rinjve po migrojnë drejt Kosovës, Shqipërisë si dhe vendeve të Evropës. Ky është projekt i Serbisë që po zbatohet për të krijuar pasiguri te shqiptarët dhe për t’i përndjekur ata me metodat më të moderuar drejt vendeve të treta në mënyrë që ky vend t’u mbetet serbëve pa ushtrimin e një lufte të armatosur. Fatkeqësisht, Lugina ka një kujdes minimal të Qeverisë së Shqipërisë dhe më minimal një kujdes të Qeverisë së Kosovës.

“Epoka e re”: Nëse vazhdohet me këtë trend të migrimit, a ka rrezik për zbrazjen e Luginës
Mustafa: Nuk do shumë mend të vihet deri te ky konstatim dhe shembullin më të freskët e kemi atë të Medvegjës, ku deri në përfundim të luftës në Kosovë kanë qenë mbi tre mijë shqiptarë, kurse sot nuk kanë mbetur më shumë se 300-400. Por, përderisa kemi 50-60 mijë shqiptarë në Preshevë dhe Bujanoc, Serbia do ta ketë të vështirë ta realizojë këtë projekt të nisur dhe të zbatuar ku për çdo vit arrin ta shpërngulë një Medvegjë të tërë. Në krejt këtë situatë Kosova dhe Shqipëria bëhen sikur nuk shohin dhe nuk dëgjojnë, madje sikur mos të ekzistojë Lugina. Vetëm për ndonjë marketing politik në kohë të fushatës zgjedhore u intereson Lugina sa për t’i marrë votat e shqiptarëve të kësaj pjese që tani jeton në Kosovë apo në Shqipëri.

 “Epoka e re”: Pse po mungon përkrahja e Kosovës dhe Shqipërisë për Luginën e Preshevës?
Mustafa: Kosova dhe Shqipëria ish dashur të interesohen për shqiptarët në Luginë të Preshevës sikurse që kujdeset Serbia për serbët në Kosovë. Shqiptarët në Serbi duhet ta kenë tretmanin e njëjtë sikur serbët në Kosovë. Kosova dhe Shqipëria kanë mundur ta ndihmojnë Luginën e Preshevës në fushën e arsimit, të papunësisë dhe zhvillimit ekonomik. Megjithatë, përveç nga 50 mijë euro që i patën dhënë për ngritjen e maternitetit, nuk ka pasur ndihmë tjetër. Ne jemi shumë falënderues edhe për këtë ndihmë, por kemi nevojë që ndihma dhe kujdesi të vazhdojnë. Lugina ka nevojë për projekte që mundësojnë hapjen e vendeve të punës, sidomos për zhvillimin e bujqësisë dhe tregtisë. Këto janë të domosdoshme për t’i mbajtur gjallë shqiptarët në Luginë. Po ashtu, Kosova e Shqipëria duhet ta ngritin zërin në institucionet ndërkombëtare për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Epoka e re”: Si e shihni fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi? Prisni efekte pozitive nga ky proces
Mustafa: Me të drejtë mund të quhet fazë përmbyllëse, sepse kanë kaluar pesë vjet të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet për një marrëveshje historike ndërmjet dy vendeve nuk mund të zgjasin deri në pafundësi. Edhe këto pesë vjet kanë qenë të tepërta sepse ka pasur mundësi që çështjet e diskutuara të zgjidhen shumë më shpejt. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është e padiskutueshme. Kosova e pavarur është një pikë e vendosur e cila nuk bën të lëvizet kurrë. Tanimë është e njohur prej më shumë se 110 shteteve në botë. Përpjekjet e presidentit Vuçiq janë demagogji të kulluara, dhe ai duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

 “Epoka e re”: Besoni se ky dialog do të përfundojë me njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve
Mustafa: Përfundimisht Serbia nuk ka rrugë tjetër përveç njohjes së shtetit të Kosovës. Çdo zgjidhje tjetër nuk do të ishte e frytshme dhe nuk do të ofronte stabilitet në rajon, por do të hapte një perspektivë të shëndoshë për t’i vazhduar diskutimet për pakicat kombëtare në të dy shtetet fqinjë. Pasi që Serbia ta njohë Kosovën mund të hapen bisedime për realizimin e të drejtave të serbëve në Kosovë duke kushtëzuar ato me të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Kjo është zgjidhja definitive. Ka ardhur koha që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës me këta kufij që i ka, me të cilët është njohur nga ShBA-ja dhe vendet e tjera të fuqishme të Evropës. Kosova duhet ta shtojë angazhimin për zbatimin e plotë të marrëveshjeve që janë arritur deri më tani në Bruksel. Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet që janë arritur në fushën e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës siç ishte rasti i marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave. Deri më tani asnjë diplomë nuk është njohur. Derisa Serbia kërkon realizimin e plotë të marrëveshjeve të arritura, nga ana tjetër Kosova fare nuk i përmend.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar edhe…