Serbia po përgatit ‘katastrofë humanitare’ në veri, Haradinaj thotë se është provokim
Pas zbulimit të planit të Beogradit për “katastrofë humanitare’ në veri të Mitrovicës, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se përpjekjet nga akterë të ndryshëm, zyrtarë dhe afaristë serbë në veri të Mitrovicës të koordinuar me Beogradin zyrtar, për të paraqitur katastrofë humanitare në këtë pjesë të Kosovës janë të papranueshme dhe të dënueshme.
“Boshatisja e dyqaneve, ku nuk gjenden as artikuj elementarë me prejardhje nga Serbia, është plani që po përgatitet nga njerëz të caktuar në veri, për të cilën Qeveria e Kosovës është e informuar. Në bazë të këtyre informatave, mësohet se pjesë e organizimit të këtij plani janë Radosh Petroviq, Goran Vllashkoviq, Bojan Jakshiq – Cojo, Sllavisha Staniq, Radulle Steviq. Sipas burimeve të mekanizmave të sigurisë së Kosovës, ky organizim do të asistohet me logjistikë dhe forma tjera edhe nga organizata e ashtuquajtur ‘Civilna Zastita’ në veri, e cila udhëhiqet nga Stevo Paviçeviq”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të rrinë duarkryq.
“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë këtyre tendencave për destabilizim dhe ftojmë kryetarët e komunave në veri dhe qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/