Serbia po përgatitet ta ndryshojë kursin për Kosovën
Prof. dr. Blerim Reka
Për më shumë se një shekull paqja në Ballkanin Perëndimor varej nga marrëdhëniet midis dy kombeve më të mëdha: shqiptarëve dhe serbëve. Mosmarrëveshja e tyre territoriale mbi Kosovën, që nga aneksimi i saj nga ana e Serbisë (në fund të luftërave ballkanike: 1912-1913), krijoi jostabilitetit të përhershëm rajonal. Por, një dekadë pasi që Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, (nën mbikëqyrjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO-KFOR), shenjat e para të një qasjeje më reale vijnë nga Beogradi. Gjatë verës presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri thirrje për një “debat të gjerë nacional për Kosovën”, i cili pritet të prodhojë një dimër të nxehtë politik.
Duket se elita shtetërore e Serbisë më në fund e kuptoi se rasti i Kosovës duhet të mbyllet qoftë përmes një marrëveshjeje historike midis Kosovës dhe Serbisë (skenari më i mundshëm), ose nëpërmjet shkëmbimit të territoreve (më pak të ngjarë). Që të dy skenarët mund të prodhojnë pasoja gjeopolitike.
Udhëheqja politike e Serbisë filloi ta përgatiste opinionin publik për këtë hapje kur, në korrik, presidenti Vuçiq i tha së përditshmes tabloide “Blic”, se Serbia kishte nënvlerësuar aspiratat kombëtare të shqiptarëve që nga Lidhja e Prizrenit – e themeluar nga prijësit shqiptarë në vitin 1878. Ishte koha për Serbinë që të “ndalet së futuri kokën në rërë” sa i përket Kosovës dhe të fillonte “një dialog të brendshëm”, kishte deklaruar Vuçiq, sepse “ne duhet të përpiqemi të jemi realistë, të mos humbim apo të japim atë që ende e kemi, por nuk presim ta kthejmë atë që e kemi humbur kohë më parë”.
Duke pasur një mandat të ri pesëvjeçar dhe kredencialet më të larta nacionaliste, kryetari serb mund ta trajtojë çështjen e ndjeshme ngjashëm me atë të vizitës në Kinë të Riçard Niksonit, luftëtarit të periudhës së Luftës së Ftohtë (edhe pse në një kontest krejt tjetër).
Shqiptarët dhe serbët duhet të gjejnë një marrëveshje, tha Vuçiqi, në një tjetër intervistë televizive në gusht, sepse “nëse arrijmë paqen mes dy vendeve më të mëdha, ne do të zgjidhim 80 për qind të të gjitha problemeve për 100 vjetët e ardhshëm”.
Me supozim se kjo nuk është vetëm retorikë, presidenti Vuçiq mund të mbështetet nga BE-ja dhe ShBA-ja. Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, vlerësoi qëndrimin “konstruktiv” të Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili në fund synon të ketë një marrëveshje Kosovë – Serbi, deri në vitin 2019.
Ndërsa ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke pranuar se “politika e Serbisë për Kosovën ka dështuar”, argumentonte po në gusht se ajo që nevojitet është ndarja e territoreve – një opsion që, siç tha, do të mbështetej nga Rusia. Kjo bëri të qartë se “debati i brendshëm” i Vuçiqit do t’i përfshinte fuqitë e jashtme dhe do ta përcaktonte vendin e Serbisë në sistemin ndërkombëtar: e rreshtuar pas Rusisë, ose me Perëndimin?
Duket se ky hap diplomatik i presidentit Vuçiq është frymëzuar nga vizita e tij e korrikut në Uashington dhe takimi me zëvendëspresidentin e ShBA-së, Mike Pence. Vuçiqi ndjeu qartë presionin pasi kancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëroi këtë vit, se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Dy vizionet
Ideja e presidentit serb, e cila erdhi në një kohë të tensioneve të shtuara të ShBA-së mbi Ballkanin, ishte se zgjidhja e mosmarrëveshjeve me Kosovën do ta lirojë Beogradin nga varësia nga Uashingtoni dhe Moska. Beogradi kishte provuar tashmë një politikë të dyfishtë: duke aplikuar për anëtarësim në BE, gjithashtu duke besuar në mbështetjen e Rusisë për kërkesën e saj ndaj Kosovës; dhe kjo qasje kishte dështuar.
Moska ende e konsideron Beogradin si një aleat kyç në Ballkan dhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, deklaroi gjatë një vizite në Moskë në muajin gusht, se vendi i tij “kurrë nuk do t’i bashkohet NATO-s”. Ushtria serbe merr pjesë rregullisht në manovrat e përbashkëta me forcat ruse dhe kërkoi që Rusia t’i dërgojë helikopterë dhe avionë luftarakë MIG-29. Beogradi mirëpriti “Qendrën Humanitare Ruso-Serbe” në Nish, e cila konsiderohet një hap i qartë për një prani të drejtpërdrejtë ushtarake ruse, edhe pse ShBA-ja ka paralajmëruar kohët e fundit Serbinë, që të mos ia jap kësaj qendre statusin diplomatik.
NATO-ja ndërkohë diskutoi të ardhmen e misionit të saj KFOR në takimin e Komitetit Ushtarak të saj në Tiranë, në shtator.
Kryetari i këtij komiteti, gjenerali çek Petr Pavel, ishte zyrtari i parë i lartë i NATO-s i cili deklaroi publikisht se Kosova, si një shtet sovran, mund ta ketë ushtrinë e saj. Përderisa retorika e pajtimit është një “perde tymi”, për t’i mashtruar vëzhguesit e huaj, ky dimër mund t’i përplasë dy orientimet strategjike në Serbi: atë të Vuçiqit – drejt Evropës; apo përqafimin e Daçiqit me vëllazërinë sllave? Megjithatë, dilema më e madhe strategjike për Serbinë mbetet: si të shpëtojnë nga të dy ankthet e saj Kosova dhe Rusia?
Instrumentet diplomatike
Dy palët fillojnë nga orientimet gjeopolitike diametralisht të kundërta. Pothuajse 90 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qëndrim pozitiv ndaj NATO-s, ndërsa në Serbi kjo është vetëm 3 për qind. Si mund të ofrohen këto dy orientime strategjike drejt një pajtimi? Gjashtë vjet negociatat e ndërmjetësuara nga Brukseli kanë dhënë deri më tash rezultate tejet të dobëta.
Një fazë e re e këtij procesi negociator u inaugurua më 31 gusht, me qëllim të arritjes së pajtimit të plotë brenda tre vjetëve. Pritet që rezultati i mundshëm do të ishte që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke mundësuar anëtarësimin e vet në BE; dhe Kosova, të bëhet anëtarja më e ri e Kombeve të Bashkuara.
Në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, kohë më parë tha se një nga prioritetet kryesore mbetet zbatimi i “strategjisë për një aderim të suksesshëm në BE të Serbisë dhe Malit të Zi – si kandidatët kryesorë në Ballkanin Perëndimor”. Megjithatë, Johannes Hahn, komisionari i zgjerimit i BE-së, në një vizitë në Beograd, do ta tërhiqte vërejtjen se kjo ishte e kushtëzuar me zgjidhjen e problemit të Kosovës – të cilin problem BE-ja “nuk e do brenda Unionit”.
Ndërmjetësimi i suksesshëm i BE-së në bisedimet Kosovë – Serbi do të jetë i pamundur pa mbështetjen e Uashingtonit dhe pa një prani të fortë amerikane. Prandaj është e dëshirueshme që raundi më i ri i këtyre negociatave ta përfshijë edhe ShBA-në sepse, siç u dëshmua tashmë, asnjë krizë në Ballkan nuk mund të zgjidhet pa angazhimin aktiv amerikan.
Deri në vitin 2019 duket se mbeten, të paktën, dy skenarë të mundshëm.
Opsioni 1: Njohja e Republikës së Kosovës
Skenari më i mundshëm është që Serbia më në fund do ta marrë parasysh realitetin e ri pas vitit 2008. Duke e njohur Kosovën – nëse jo tani – të paktën brenda dy vjetëve të ardhshëm: Beogradi do të lirohet nga një problem shekullor dhe do ta hapë ardhmërinë euroatlantike. I sigurt në mandatin e tij pesëvjeçar, Vuçiqi ka kohë ta mundësojë “debatin e brendshëm për Kosovën” dhe ta drejtojë opinionin publik drejt një qasje më realiste. Aktualisht, e vetmja gjë që ka mbetur ende “serbe” për Kosovën, është vetëm përmendja e saj në preambulën e Kushtetutës së Serbisë. Mirëpo, Vuçiqi, me gjithë popullaritetin e vet, mund ta ketë të vështirë t’i bindë dy të tretat e Parlamentit të vendit për ta amendamentuar atë.
Së bashku me Partinë e tij Progresive Serbe (SNS), presidenti mund të llogarisë në mbështetjen e luhatur nga opozita, si Liberal Demokratët (e Çedomir Jovanoviqit) dhe Lidhja Socialdemokrate e Vojvodinës (të Nenad Çanakut). Brenda koalicionit qeverisës ai madje ka marrë mbështetjen edhe nga Lëvizja Nacionaliste e Ripërtëritjes Serbe, udhëheqësi i së cilës, Vuk Drashkoviq, ditë më parë u kishte bërë thirrje serbëve ta “pranojnë dhe njohin realitetin në Kosovë si bazë për një zgjidhje të qëndrueshme”.
Por, aktorë të tjerë të rëndësishëm si Lëvizja Dveri e krahut të djathtë, Partia Demokratike dhe Socialistët (që janë brenda koalicionit qeveritar) kategorikisht kundërshtojnë njohjen e Kosovës.
Duke pasur parasysh ndarjen e theksuar mes partive politike serbe – për Kosovën – madje edhe brenda koalicionit qeveritar, presidenti Vuçiq mund të shpresojë të ndërtojë një konsensus nacional duke dalë fitues mbi dy formuesit kryesorë të opinionit publik: Kishës Ortodokse Serbe (e cila ende e konsideron Kosovën si “zemrën e Serbisë”) dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë. Institucioni i fundit tradicionalisht është identifikuar i vijës së ashpër (memorandumi i SANU i hartuar nga 16 anëtarë të akademisë në vitin 1986, konsiderohet si një projekt për strategjinë e presidentit serb Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi të viteve 1990), por kohët e fundit ka marrë një qëndrim të moderuar për çështjen e Kosovës.
Pas një debati të vështirë nacional, nëse Vuçiqi arrin të sigurojë mbështetje të gjerë nacionale dhe mbështetjen e nevojshme parlamentare, preambula mund të ndryshohet në vitin 2018, së bashku me ndryshimet e tjera kushtetuese që i ka kërkuar më herët Brukseli gjatë negociatave për anëtarësim me BE (gjyqësori dhe sundimi i ligjit).
Një kundërkëmbim, që Vuçiqi mund të presë për njohjen e Kosovës dhe fshirjen de jure nga Kushtetuta e Serbisë (18 vjet pas humbjes de facto), është të mbajë një marrëdhënie të veçantë me Republikën Srpska. Në Uashington presidenti serb mori një mesazh të qartë për të mos planifikuar ndonjë ribashkim me serbët e Bosnjës. Megjithatë, së bashku me presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik, Vuçiqi në gusht shpalli qëllimin e tij për të hartuar një “deklaratë mbi ruajtjen e identitetit kombëtar serb” në shtetet e tjera ish-jugosllave. Nisma u mbështet nga Rusia, e cila organizoi një takim të partive politike serbe në Moskë për ta diskutuar iniciativën. Pra, plani i Vuçiqit është ta minimizojë humbjen e Kosovës, duke hequr pengesën kryesore në rrugën e pranimit të Serbisë në BE. Nëse Serbia pranon humbjen e Kosovës, me ndryshimin e Kushtetutës së saj, Rusia vështirë se mund të vërë veton për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, veçanërisht pas krahasimit të njohur të Vladimir Putinit për të drejtën e Krimesë për vetëvendosje me Kosovën.
Kalendari i presidentit serb parasheh një dialog dypalësh me Brukselin dhe me bashkëqytetarët e tij, duke shpjeguar pse “humbja e Kosovës” është e nevojshme. Nëse procesi i ndryshimit të kushtetutës fillon vitin e ardhshëm, mund të presim një relaksim të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Edhe pse mund të mos ketë njohje të menjëhershme diplomatike të Kosovës, Beogradi mund të heqë dorë nga bllokadat kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare (si, p. sh., në UNICEF apo Interpol).
Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja do të përfundojë në vitin 2019 me një dokument juridikisht të detyrueshëm të nënshkruar nga të dyja palët. Njohja formale diplomatike e Republikës së Kosovës do të pasonte në vitin 2020, kur Beogradi do t’i negociojë kapitujt finalë të acquis të BE-së. Kjo do të ishte një fitore për të dyja palët, duke i dhënë fund një shekull të armiqësisë historike. Për Aleksandar Vuçiqin, do të përfundonte triumfalisht mandati i tij presidencial, duke bërë për Serbinë atë që De Goli bëri për Francën, duke i dhënë fund ngatërresës algjeriane.
Por a dëshiron vërtet presidenti Vuçiq ta bëjë këtë?
Presioni nga ShBA-ja dhe BE-ja është një nga përgjigjet, por ka edhe konsiderata të rëndësishme ekonomike. Për sa kohë që problemi i Kosovës krijon pasiguri politike dhe juridike nuk mund të priten investime serioze të huaja (përveç nga Kina dhe Turqia). Serbia po llogarit në ndihmën e jashtme për ta rimëkëmbur industrinë automobilistike (me “Fiat”-in italian në Kragujevc dhe me “Michelin”-in francez në Pirot) si dhe po përpiqet t’i joshë investitorët gjermanë në sektorin e vet problematik të energjisë.
Një përfitim tjetër për Serbinë, nga njohja e Kosovës dhe përmirësimit të marrëdhënieve me Shqipërinë, do të ishte qasje e saj e lirë në Adriatik përmes portit të Durrësit. Procesi i Berlinit për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor premtoi fonde për ta ndërtuar autostradën nga qyteti serb i Nishit deri në Merdar, në kufirin me Kosovën. Gjatë luftërave ballkanike Serbia luftonte për këtë qasje në det, por këtë vit Durrësi ishte vendi i takimit të parë midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë jashtë formatit të “Dialogut të Brukselit”.
Durrësi do të bëhet më i rëndësishëm për Serbinë pas nënshkrimit të një memorandumi greko-bullgar për të ndërtuar hekurudhën e re Selanik – Ruse, me të cilën anashkalohet Serbia. Kryeministri shqiptar Edi Rama përshëndeti realizmin e Vuçiqit, duke shtuar se opsioni i vetëm i arsyeshëm i Serbisë është njohja e Kosovës.
Opsioni 2: Shkëmbimi i territoreve
Skenari më pak i mundshëm do të ishte shkëmbimi i territoreve.
Sipas kësaj qasjeje, tri rajone me shumicë serbe në veri të Kosovës (Zveçan, Leposaviq dhe Gazivoda) do t’i bashkoheshin Serbisë; dhe tri rajone me shumicë shqiptare në Serbinë e Jugut (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) do t’i bashkoheshin Kosovës. Ministri i Jashtëm serb Daçiq është një përkrahës i ndarjes, edhe pse edhe ai pranon se kjo do të kërkonte heqjen dorë nga disa territore të Serbisë.
Por, ky skenar është më i komplikuar. Së pari, shkëmbimi i territoreve përfshin pasoja më të gjera të sigurisë, sepse kufijtë ishin gjithmonë çështje lufte në Ballkan. Rishikimi i kufijve gjithashtu do të kërkonte në mënyrë ta pashmangshme përfshirjen e aktorëve të jashtëm. Pjesa më e madhe e bashkësisë ndërkombëtare është kundër çdo ndryshimi, (siç e bëri të qartë Greg Delawie, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, kohët e fundit), apo siç ky propozim i Daçiqit u kualifikua si “i papranueshëm” dhe “kërcënim për stabilitetin e Ballkanit”, (sipas Enver Hoxhajt, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës).
Ashtu sikur që presidenti Vuçiq duhet të krijojë përkrahje për njohjen e Kosovës, Daçiq do të ketë nevojë që sa më shumë serbë ta pranojnë shkëmbimin e territoreve. Pa mohuar edhe kundërshtimin e shqiptarëve. Një nga aspektet më të vështira të shkëmbimit të territoreve do të ishte kërkesa e Serbisë që Patrikanës së Pejës, t’i jepej statusi i eksterritorialitetit brenda Kosovës, ngjashëm me atë të Vatikanit në Romë ose Manastirit Atos në Greqi. Ky model i një “shteti brenda një shteti” do të refuzohej nga Kosova.
Të dy rajonet që do të shkëmbeheshin kanë karakteristika strategjike kruciale. Kosova Veriore me shumicë serbe ka liqenin Gazivoda, një rezervuar që është burimi kryesor i ujit të Kosovës. Nëse kjo komunë do t’i bashkohej Serbisë, ekonomia rajonale dhe bujqësia do të kërcënoheshin me kolaps. Nga ana tjetër, Lugina e Preshevës në jug të Serbisë, e cila ka rreth 100 000 shqiptarë, gjithashtu ka autostradën kryesore veri-jug që lidh Beogradin me Selanikun, (një arterie transporti që njihet si Korridori X Pan-Evropian) jetike për funksionimin e ekonomisë së Serbisë.
Këto vështirësi duket se do ta shtyjnë Vuçiqin për njohje diplomatike të Republikës së Kosovës. Jo vetëm se do të shmangte një ndarje të rajoneve strategjike, por do ta forconte rrjetin e transportit të Serbisë duke hapur një rrugë të re drejt Adriatikut përgjatë autostradës Merdar-Nish (të financuar nga BE-ja) përmes portit shqiptar të Durrësit.
(Botuar në “Geopolitical Intelligence Service”. Përktheu nga anglishtja dhe përshtati në gjuhën shqipe: Arsim Osmani)