Serbia provokon sërish, nis aeroplanët ushtarak në drejtim të kufirit me Kosovën
Aeroplanë ushtarak serbë mund të shihen nga nesër duke fluturuar mbi komunat e banuara me popullsi shqiptare, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.
Kjo është bërë me dije përmes një njoftimi të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, ku është thënë se në kuadër të një trajnimi të rregullt ushtarak, aeroplanët do të fluturojnë nga Nishi e në jug të Serbisë, raporton “lajmi.net”.
Sipas këtij njoftimi, ky trajnim do të zgjasë deri më 10 gusht.
Kjo nuk është hera e parë që aeroplanë ushtarakë serbë do të fluturojnë mbi qiellin e Luginës së Preshevës.
Edhe më herët, të tillë aeroplanë kishin fluturuar shumë afër kufirit me Kosovën, gjë që kishte shkaktuar shqetësime të mëdha tek banorët e asaj pjese.
Një paralajmërim i tillë i Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë vjen pikërisht në kohën kur në veri të Kosovës është paralajmëruar tensionim i situatës, si dhe kur deklaratat për korrigjim të kufijve janë shpeshtuar në spektrin politik.