
Serbia reagon pas njohjes së Kosovës nga Kenia: Akt armiqësor, do të merren masa
Pas lajmit për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Kenia, ka reaguar Serbia e cila e konsideron këtë një “akt armiqësor” dhe ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” ndaj këtij akti.
“Veprimi i Kenias për ta njohur shtetin e Kosovës përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha ministria e Jashtme e Serbisë në një reagim.
Serbia po ashtu pretendon se me këtë veprim, Kenia “e ka shkelur edhe Kartën e OKB-së”.
Kjo njohje, sipas Beogradit zyrtar “minon gjithashtu përpjekjet për dialog konstruktiv, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar”.
Serbisë i ka bërë përshtypje edhe fakti që Kenia i është referuar edhe vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si “të pabazuar”.
Në reagim po ashtu u tha se vendimi i Kenias do të ndikojë në marrëdhëniet e këtij shteti me Serbinë.
Serbia në përfundim të reagimit pretendon se në tetë vitet e fundit “28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e pavarësisë” së Kosovës, dhe se vetëm “dy shtete të reja e kanë njohur”.
“Shumica e qartë e bashkësisë ndërkombëtare, ligji dhe drejtësia janë në anën e Serbisë. Serbia mbetet e përkushtuar për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial me të gjitha mjetet diplomatike dhe juridike në dispozicion”, thuhet në fund të këtij reagimi.