Serbia sërish dështon ta harmonizojë politikën e jashtme me BE-në
Nga 1 janari 2024 deri më 30 qershor 2024, Serbia u rreshtua me vetëm 47% të deklaratave të politikës së jashtme të BE-së, ndërsa vendet e tjera kandidate në rajon – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut – u rreshtuan me 100% të tyre.
Këto janë rezultatet e analizës së Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe Sigurisë (ISAC Fund).
“Serbia ka vazhduar modelet e saj të përafrimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) në vitin 2024, ngjashëm si në vitet 2022 dhe 2023, kur [ajo] kishte norma të përafrimit prej 48 për qind dhe 54 për qind, respektivisht”, thuhet në analizën e ISAC, që e ka publikuar European Western Balkan.
Nga 1 janari 2024 deri më 30 qershor 2024, BE-ja ka lëshuar 57 deklarata, duke u bërë thirrje vendeve kandidate dhe partnere që të bashkohen. Serbia u rreshtua me 27 deklarata dhe masat pasuese por nuk arriti të përafrohet me 30 të tjera, tregon analiza.
Si më parë, Serbia i është shmangur rreshtimit me deklaratat dhe masat e drejtuara kundër Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës, shtetasve, subjekteve apo interesave të tyre.
Serbia me këtë tregon se vazhdon të ndjekë kursin e saj tëmbajtjes së lidhjeve me Rusinë dhe Kinën që nuk i ndajnë vlerat e përbashkëta me BE-në. Ndërkaq, me këtë të fundit Serbia i përshtat politikat vetëm në ato pjesë ku kjo përshtatje nuk i ndikon në prishjen e marrëdhënieve historike me Rusinë dhe tashmë edhe me Kinën.
Serbia u rreshtua me BE-në me masat kufizuese të zbatuara në lidhje me ISIS/Al-Kaedën, terrorizmin, Sirinë dhe Birmaninë/Myanmar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka qenë në Bruksel më19 shtator bashkë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe nga atje njoftoi se Serbia do të pranojë miliona para nga BE. Vuçiq tha se 1.58 miliardë euro do të përfitojë Serbia nga BE, disa prej të cilave i ka dhuratë dhe disa hua.
Prapë se prapë Serbia vazhdon të shfrytëzojë këto para, por nëçështjet kyçe siç është lufta e Rusisë në Ukrainë, ajo nuk rreshtohet ka BE duke vazhduar të mos i vendosë sanksione aleatit të saj.
Po ashtu, Serbia bashkë me Hungarinë si anëtare e BE-së, janë bërë një dritare e Kinës në qëllimet e saj për të ndikuar në Evropë. /TheGeopost