Serbia shpall dy shqiptarë non-grata, Shqipëria kërkon llogari nga ambasadori serb
Serbia ka dëbuar dy shqiptarë që ishin në Beograd për një seminar, me arsyetimin se përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga organizata “Help” në Tiranë, ishin pjesë e 14 anëtarëve të shoqërisë civile që vinin edhe nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Çeke, Rumania, Moldavia e Maqedonia e Veriut, e të cilëve u është ndaluar hyrja në Serbi për një vit nga shërbimi sekret serb e policia e këtij vendi.
Memaj e Lilaj kanë thënë se ky është sulm ndaj shoqërisë civile, ndërsa theksojnë se nuk u është dhënë asnjë shpjegim për vendimin, raportoi “TCH”.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka thirrur në takim ambasadorin e Serbisë dhe ka kërkuar llogari për këtë ngjarje.
“Këtë veprim nuk e konsiderojmë në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me ndikim negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd”, thuhet në reagimin e Ministrisë.