Serbia thellon bashkëpunimin me Rusinë edhe në shëndetësi
Serbia dhe Rusia kanë hapur dyert për një bashkëpunim tjetër të hënën në Beograd. Këto dy shtetet kanë nënshkruar një memorandum ndërmjet ministrive të Shëndetësisë.
Memorandumi paralajmëron forcimin e bashkëpunimit në mes të dy sistemeve shëndetësore në fushat e organizimit dhe menaxhimit, parandalimit të sëmundjeve jo ngjitëse, parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve infektive, mbrojtjes së shëndetit të nënës dhe fëmijës, oftalmologjisë, ortopedisë, onkologjisë, kardiologjisë.
Ky nënshkrim është realizuar në mes të ministrit të Shëndetësisë nga Federata Ruse, Mihail Murashko dhe homologes së tij serbe, Danica Grujiçiq.
Ministri i Shëndetësisë i Federatës Ruse, Mihail Murashko, ka thënë se bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Rusisë ndër të tjera mundëson shkëmbimin e njohurive.
Ministrja serbe e Shëndetësisë, Danica Grujiçiq është e pesta në listën e agjentëve të Putinit në Serbi, e cila përpilohet dhe përditësohet vazhdimisht nga Ekipi Anti-Hibrid për Identifikimin e Agjentëve të Putinit në Republikën e Serbisë (TIPARS) të Aleancës për Lirinë e Serbisë së Lirë – Grupi Oktobar. Lista e deritanishme përfshin 67 persona nga jeta politike, mediatike dhe publike në Serbi. /The Geopost