Serbia vazhdon ta pengojë hyrjen e kufomave nga mërgata për në Kosovë
Edhe pse Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Bruksel marrëveshje për lëvizje të lirë të qytetarëve, njëmbëdhjetë vjet pas Serbia ende vazhdon të mos e lejojë lëvizjen transitore nëpër territorin e saj të kufomave të cilat transportohen nga mërgata për t’u varrosur në atdheun e tyre në Kosovë. Familjarët që humbin të afërmit e tyre po u shkaktohen shpenzime financiare sa i përket gjatësisë së rrugës së transportimit dhe vonesave në kohë. Kompanitë transportuese të kufomave duhet të gjejnë rrugë alternative për të hyrë në Kosovë. Ndërkaq në kohën e pandemisë, vështirësitë në këtë drejtim u thelluan edhe më shumë pasi linjat ajrore u pezulluan për një kohë
Albulena S. MAVRAJ
Pronarët e kompanive “Pikëllimi” dhe “Funerali-Elezi” që merren me transportimin e kufomave nga mërgata për në Kosovë thonë se atyre nuk u lejohet transportimi i kufomave nga mërgata nëpër territorin e Serbisë. Këtë ata e kanë cilësuar mjaft sfiduese si në aspektin financiar për shkak se detyrohen të bëjnë qindra kilometra duke gjetur rrugë alternative, por edhe për shkak të aspektit kohor. Ata kanë thënë se për këtë problem prej vitesh kanë kërkuar ndihmë nga institucionet e Kosovës, mirëpo deri më tani kjo ka mbetur vetëm në nivel premtimesh. Të njëjtët kanë apeluar që kjo çështje sa më shpejt të diskutohet në bisedime me Serbinë në kuadër të dialogut në Bruksel.
Në marrëveshjen e arritur më 2 korrik në vitin 2011 në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë është e specifikuar lëvizja e lirë. Në pikën 1 të kësaj marrëveshje thuhet: “Qytetarët (me vendbanim të përkohshëm) të të dyjave palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës”. Ndërkaq në pikën 2 thuhet: “Secila palë do të zbatojë, sa më shpejt që është e zbatueshme në aspekt operativ, një sistem të kalimit të kufirit/kufirit administrativ të qytetarëve të palës tjetër me letërnjoftime”.
Pronari i kompanisë “Pikëllimi”, Fatmir Elezi, i cili ka pikat e kompanisë në të gjitha vendet e Evropës, si në Shtutgard, Dyseldorf, Frankfurt, Francë, Danimarkë, Suedi, Belgjikë dhe Austri, ka treguar për gazetën “Epoka e re” se para një jave ka sjellë në Kosovë gjashtë kufoma, por në asnjërin rast nuk kanë mundur që të kalojnë nëpër territorin e Serbisë. “Vetëm të hënën që lamë pas kompania ime ka sjellë gjashtë kufoma nga mërgata për në Kosovë dhe nuk kemi mundur të kalojmë nëpër territorin e Serbisë. Ne u kemi shënuar emal institucioneve vendore dhe jemi ankuar disa herë për këtë çështje, mirëpo ende nuk kemi marrë përgjigje nga asnjë ministër, qoftë i Punëve të Jashtme dhe as nga Ministria e Diasporës që ishte më herët”, ka thënë ai.
Elezi ka treguar se për këtë problem i ka shkruar letër edhe Glauk Konjufcës sa ishte ministër i Punëve të Jashtme. “Në kohën e pandemisë i kam shkruar letër edhe Glauk Konjufcës sa ishte ministër i Punëve të Jashtëm. Po ashtu edhe ish-kryeministrit Albin Kurti. Asnjëri nuk më është përgjigjur”, ka thënë ai. Ai ka treguar për rastet kur shteti serb ka kthyer kufomat pas. “Një qytetar nga rrethi i Gjilanit para dy vjetësh ka vdekur në kufi me Serbinë dhe më pas i njëjti nuk është lejuar që të hyjë në Kosovë”, është shprehur Elezi.
Pronari i kompanisë “Pikëllimi”, Fatmir Elezi, këtë bllokadë që po e bën shteti serb e ka vlerësuar si trajtim çnjerëzor. “Moslejimi i kalimit nëpër Serbi me kufoma është më të vërtetë problem i madh që na sfidon në mërgatë prej vitesh. Numri i shqiptarëve që jetojnë në diasporë është i madh. Ju e patë edhe në rezultatin e votimit për zgjedhjet e 14 shkurtit. Shumica e atyre që jetojnë në diasporë që nga vitet ’70 kanë edhe prindërit e tyre me vete. Nëse personi është me dokumentacion të Kosovës nuk lejohet që të qarkullojë nëpër territorin e Serbisë. Neve na duhet që të kalojmë nëpër vende të tjera alternative. Kompania ime mund të kalojë nëpër territorin e Serbisë vetëm kur bëjmë bartjen e kufomave për në Maqedoni dhe në Serbi. Kjo nuk na lejohet kur kemi të bëjmë me kufomat që duhet t’i sjellim në Kosovë. Maltretimi që na bënë Serbia nuk është njerëzor dhe është larg civilizimit që të ndalohet lëvizja. Kjo çështje urgjentisht duhet të diskutohet në Bruksel”, ka deklaruar ai.
Fatmir Elezi i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme, por edhe ligjvënësve të ardhshëm në Kosovë, që këtë çështje ta trajtojnë me prioritet dhe ta hapin si temë diskutimi në Bruksel. “Mos të harrojnë se në diasporë janë rreth dy milionë kosovarë”, u shpreh ai.
Lidhur me këtë çështje gazeta “Epoka e re” ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) e cila është edhe zbatuese e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, mirëpo në këtë ministri kanë thënë se për këtë çështje duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Megjithatë, gazeta nuk ka marrë përgjigje as nga Ministria e Jashtme e as nga zyra për informim e qeverisë aktuale.
Avni Elezi, pronar i kompanisë “Funerali-Elezi” që merret me transportin e kufomave nga mërgata për në Kosovë, ka thënë se problemi kryesor është leja për transit nëpër Serbi, e që kjo ndalesë nga ana e shteti serb u kushton si në aspektin financiar, po ashtu edhe në atë kohor. “Në këto raste kur Serbia nuk na lejon të lëvizim nëpër territorin e saj me kufoma, detyrohemi që të shkojmë përmes Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe më pas të vijmë në Kosovë. E gjithë kjo na kushton si në aspektin kohor ashtu dhe atë material”, ka thënë Elezi.
Ndërkaq sa i përket ndihmës institucionale, ai ka thënë se këtë çështje e kanë adresuar disa herë te Ministria e Punëve të Jashtme, që aktualisht drejtohet nga Meliza Haradinaj-Stublla, por nuk u është ofruar zgjidhje deri më tani. “Kemi pasur biseda me shumë njerëz të institucioneve, por ende ky problem nuk është zgjidhur. Ne duhet të nxjerrim lejekalim nga Ambasada e Kosovës që kufoma të lejohet për t’u varrosur në Kosovë, si dhe leje-transit nëpër të gjitha shtetet nga duhet ta transportojmë kufomën. Kroacia dhe të gjitha shtetet e tjera, edhe Mali i Zi na lejojnë që të kalojmë andej, veç Serbia jo”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka thënë se me këtë sfidë janë përballur shumë edhe në kohën e pandemisë, meqenëse linjat ajrore për një kohë ishin të pezulluara. “Me këtë sfidë jemi përballur shumë në kohë pandemie, pasi ka fluturime shumë pak dhe ka ndodhur që për një kufomë me prit me javë. Momentalisht prej Gjermanisë s’ka aeroplanë që shkojnë direkt, pra që marrin kufoma Gjermani – Prishtinë, vetëm Gjermani-Stamboll-Prishtinë”, u shpreh ai.
Një qytetare nga Peja ka treguar për gazetën “Epoka e re” për transportimin e familjarit të saj të vdekur nga Austria. N. Morina ka thënë se familjari i saj, i cili vdiq në Austri është transportuar nga një kompani turke për në Kosovë dhe nuk është lejuar që të kalojë nëpër territorin e Serbisë dhe si rrjedhojë i është dashur që të paguajë më shumë për transport të kufomës. “Nipi ynë ka vdekur në Austri dhe nga atje është bartur për në Kosovë nga një kompani turke. Ai nuk është lejuar që të kalojë nëpër Serbi për shkak se kishte dokumentacionin se do të varrosej në Kosovë. Prandaj, ne jemi detyruar që të paguajmë më shumë për bartje të kufomës dhe procedura ka zgjatur tri ditë derisa ka ardhur në Kosovë”, u shprehur ajo.
Nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) kanë apeluar që mërgata të bëhet anëtare e Bashkësive Islame shqiptare ku ata veprojnë, në mënyrë që ta kenë më të lehtë orientimin e tyre për transport sa më të shpejtë në Kosovë. Abedin Sadriu, zyrtar për çështje fetare në Bashkësinë Islame të Kosovës, ka thënë se kjo është çështje politike dhe duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka pasur bashkëpunim me Bashkësinë Islame në Beograd dhe si rrjedhojë s’mund të kenë ndikim në këtë drejtim.
Sadriu ka thënë se kompanitë të cilat merren me transportin e kufomave nga diaspora nuk e kanë adresuar këtë çështje ndonjëherë në BIK. “Ky është problem politik dhe ne s’kemi qasje sepse kjo është çështje politike. Apriori shqiptarët duhet të jenë anëtarë në organizatat fetare. Ky shqetësim nuk na është shfaqur nga kompanitë transportuese deri më tani. Është telashe sepse janë dy bashkësi fetare. Bashkësitë fetare që janë në Serbi, njëra me seli në Beograd, kurse tjetra në Sanxhak. Me këtë të Sanxhakut kemi bashkëpunim, kurse me të Beogradit jo. Ne e kemi Bashkësinë Islame Fetare në Zvicër dhe Gjermani të cilat pothuajse me çdo shtet kanë bashkëpunim, mirëpo është një problem sa i përket mërgatës sonë, pasi jo të gjithë janë të anëtarësuar në këto organizata joqeveritare. Në Zvicër e kemi bashkësinë islame fetare shqiptare. Atje ishin dy organizata, mirëpo tani është vetëm një dhe janë bashkuar dhe e kanë vetëm një organizatë islame fetare që përfshinë shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. E përsërisë se mërgata jonë ende nuk e ka në ndërdije të plotë që, të paktën, të regjistrohet si anëtare në një bashkësi fetare që i përkasin religjionit të caktuar, sepse kur t’u ndodhë rasti i vdekjes të dinë më pas si të veprojnë. Nëse e lajmërojnë rastin janë kompanitë e kontraktuara që e bëjnë një pagesë edhe ata e marrin përsipër që ta sjellin kufomën deri në adresën e caktuar”, u shpreh ai për gazetën “Epoka e re”.
Fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti. Ky i fundit ka thënë se dialogu do të jetë prioritet i katërt, pas punësimit dhe drejtësisë.