Serbia, zero investim në shkollat shqipe në Luginë
Për shkak të uljes së numrit të nxënësve, në tri komunat në Luginë pritet të fillojë bashkimi i shkollave. E për përzgjedhjen e institucioneve arsimore, kriter do të jetë infrastruktura e objekteve. Serbia ka investuar rreth 5,3 milionë euro në shkollat serbe, por jo edhe në ato shqipe.
Në shkollat ku vijojnë mësimin nxënësit shqiptar, pavarësisht gjendjes së rëndë, shteti serb nuk financon rikonstruktimet e objekteve.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se për këtë gjendje do t’i drejtohet me letër edhe kryeministrit Albin Kurti.
Ai në intervistë për KosovaPress thotë se kanë mirëpritur ndarjen e 254 mijë eurove për Luginën e Preshevës për pajisje me tekste mësimore në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2023-2024.
“Është një lajm jashtëzakonisht i mirë që është pranuar fillimisht kërkesa e Këshillit Kombëtar Shqiptar që të financohen tekstet për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore. Normalisht që kjo kërkesë është pritur mirë, jashtëzakonisht mirë, jo vetëm nga nxënësit të cilët janë në mënyrë të drejtpërdrejt përfitues, por edhe nga familjet e tyre për shkak që kjo ndihmon normalisht edhe ekonominë familje, për shkak që kosto për sigurimin e atij seti të librave nuk është edhe e ultë”, thotë ai.
Lutfiu shton se në dy vitet e kaluara, nuk kanë pasur pengesa në realizimin e atij projekti.
“Janë diku rreth katër mijë nxënës prej klasës së parë deri në klasën e tetë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë që pritet të jenë përfitues të këtyre librave. Librat vijnë nga Shqipëria, lejet e përdorimit janë siguruar me marrëveshjen të cilën ka ndodhur mes Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë”, shton ai.
Megjithatë, ka tekste që nuk lejohen nga Serbia për furnizim të nxënësve shqiptarë.
“Bëhet fjalë për librat që Ministria e Arsimit e ka dhënë lejen e përdorimit. Libra e historisë, muzikës që nuk e kanë marrë lejen e përdorimit, pra ato libra që kanë të bëjnë me identitetin tonë kombëtar ato normalisht që nuk përfshihen në këtë set dhe kjo fatkeqësisht shpresojmë që në të ardhmen të zgjidhet çështja edhe e këtyre librave”, shprehet Lutfiu.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar thekson për KosovaPress se për shkak të uljes së numrit të nxënësve, në Serbi pritet bashkimi i shkollave.
“Për shkak të uljes së numrit të nxënësve, shumë shpejt në Serbi mund të fillojë që të bëhet bashkimi i shkollave. Kriter për përzgjedhjen e shkollave mund të jetë infrastruktura e shkollave. Në këtë rast, shkollat serbe në Komunën e Bujanocit konkretisht gjendjen e kanë shumë më të mirë se sa shkollat shqipe. Prandaj investimet e fundit që kanë ndodhur, 5,3 milionë ka investuar në shkollën fillore në Bujanoc, në shkollën e mesme në Bujanoc, ka ndërtuar një sallë sporti në një fshat serb edhe ka ndërtuar një terren sportiv në një shkollë serbe. Ndërkohë, investimet në shkollat shqipe janë zero. Konkretisht shkolla fillore e fshatit Lluqan, e cila është në gjendje jashtëzakonisht të vështirë, në kohën kur bie shi nxënësit e ndërpresin mësimin. Aktualisht ajo shkollë nuk është pranuar, ai projekt dokumentacion për renovimin e asaj shkolle nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu nuk është pranuar të rinovohet as shkolla fillore e fshatit Bilaç në Bujanoc”, deklaron Lutfiu.
Lutfiu paralajmëron që do t’i dërgojë letër edhe kryeministrit Kurti për renovimin e shkollave shqipe.
“Do t’i drejtohem kryeministrit Kurti, pasi që Serbia nuk e pranoi kërkesën për renovimin e shkollave në fjalë, unë do i drejtohem kryeministrit Kurti që në kuadër të fondit për Luginën, mjetet të shfrytëzohen për renovimin e këtyre shkollave”, shprehet ai.
Në anën tjetër, ai flet edhe për ndaljen e qytetarëve dhe personaliteteve politike të Luginës, në pikat kufitare me Serbinë. Ai shprehet se qytetarëve po tentohet t’i futet frika me përndjekjet që po u bëhen në kalimet kufitare.
“Është një formë e presionit që Serbia e aplikon tash e historikisht. Fatkeqësia qëndron se jo vetëm njerëz të thjesht pa kurrfarë arsyeje ndalohen dhe maltretohen në kufi, por tashmë ka filluar që një lloj përndjekje të jetë edhe ndaj përfaqësuesve institucional. Kryetarja Sinani është kryetare e një subjekti politik, në anën tjetër ka qenë ish-kryetare e komunës edhe frika për qytetarët është se kur një përndjekje e tillë ndodhë edhe ndaj përfaqësuesve institucional, atëherë cila mund të jetë gjendja ndaj shqiptarëve të thjeshtë”, përfundoi ai.
Ditë më parë, Ardita Sinani e cila është këshilltare politike e kryeministrit, Albin Kurti, ka thënë se është ndaluar nga policia serbe për mbi një orë në vendkalimin kufitar Muçibabë. Ajo ka shtuar se nuk ka marrë asnjë sqarim për arsyen e ndalimit ndërsa ka theksuar se ky rast do të jetë shtyje më e madhe për të folur me zë të lartë për diskriminim shtetëror serb ndaj shqiptarëve.