Serena Williams nuk po arrin të mësohet me tërheqjen nga tenisi
“Kurrë mos thuaj kurrë”. Ishte kjo shprehja e tenistes amerikane Serena Williams gjashtë muaj më parë, kur zyrtarizoi tërheqjen e saj nga sporti, pas eliminimit në turin e tretë të US Open.
Këtë shprehje, fituesja e 23 grand slam në karrierë, vazhdon ta përsëritë edhe sot, duke konfirmuar se mund të rikthehet të luajë. Serena Williams, në një intervistë për CBS, pranon se e ka të vështirë të pranojë një jetë pa sportin e tenisit dhe se nuk e përmendo dot fjalën “tërheqje”.
“Ndjej se për mua, fjala tërheqje nga sporti, është një fjalë shumë e madhe, pavarësisht moshës. Ndjej se kjo nuk është një gjë e mirë për mua”, u shpreh Serena Williams. “Asnjëherë nuk kam qenë një teniste që kam respektuar skemat në fushë, gjithnjë jam përpjekur të dal jashtë tyre. Ndaj, koncepti i tërheqjes është diçka që nuk arrij ta pranoj me qetësi”, tha motra e vogël Williams, që hap kështu “dritën jeshile” për një rikthim të mundshëm në fushë që këtë vit.
Serena, 41-vjeçare, shprehet e mërzitur nga kjo jetë e re në qetësi: “Tani po i jap mundësi vetes time të relaksohem e të jem më shpesh e vetme. Por është më e vështirë nga sa e kisha imagjinuar. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë që të mos bëja asgjë. E ndjej që po ndryshoj, por gjërat janë kaq ndryshe, nuk po mësohem dot”.