Serena Williamsi: Tërhiqem nga sporti përnjëherë me Federerin
02 dhjetor 2019
| 17:12
Serena Williams nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga sporti, të paktën jo vitin e ardhshëm. Tenistja amerikane po planifikon eventet ku do të marrë pjesë gjatë 2020-s.
“E dua këtë sport dhe gjithçka që bëj. Madje ndiej se jam ende më e mira se rivalet e mia. Gjithsesi, nuk kam ndërmend të tërhiqem për sa kohë Roger Federer ende luan. Kur të tërhiqet ai atëherë do të tërhiqem edhe unë”, ka thënë Serena Williams, që ka humbur katër finalet e fundit të grand slamit.
“Sot sporti nuk njeh limite. Në shumë sporte po luhet përtej moshës 40 vjeç, gjë që nuk ishte e imagjinueshme një dekadë më parë. Nuk e konsideroj veten një talent, por di që kam punuar shumë për të arritur deri këtu”, ka deklaruar 38-vjeçarja Williams.