Sërish dështon mbledhja e Kryesisë, Konjufca cakton seancën e radhës
Ushtruesja e detyrës e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë me dije se sërish nuk ka pasur kuorum për mbajtjen e mbledhjes së kryesisë të Kuvendit të Kosovës.
Pas dështimit të kësaj mbledhjeje, ajo ka thënë se në mungesë të përfaqësuesve të PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 25 nëntor.
“Mbledhja e kryesisë së Kuvendit prapë nuk ka pasur kuorum. Përfaqësuesi i Listës Serbe dhe dy përfaqësues të partive opozitare, LDK-së dhe PDK-së, nuk ishin aty. Anëtari i sapozgjedhur i PDK-së kishte paralajmëruar mosardhjen derisa nuk kemi pasur përgjigje nga anëtari i LDK-së. Sidoqoftë, kryetari i Kuvendit komformë të drejtës së tij, sipas Kushtetutës, ka caktuar seancën plenare të radhës të Kuvendit më 25 nëntor duke filluar nga ora 10:00”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se në këtë seancë do të shqyrtohet projektbuxhetit për vitin 2022.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se “tash e një kohë kemi degjenerim të jetës parlamentare në vend”.
Ai ka thënë se për këtë degjenerim të Kuvendit pushteti nuk mund ta fajësojë opozitë. “Edhe kjo seancë u dashtë të caktohej me vendim nga kryetari, në pamundësi të caktimit nga kryesia për shkak se nuk kishte kuorum. Mazhoranca nuk mund ta fajësojë opozitën pse nuk funksionon kryesia e Kuvendit sepse mazhoranca është ajo e cila i ka numrat edhe në kryesi edhe në seancë”, ka thënë Tahiri.