Sërish dështon mbledhja e Kuvendit Komunal të Gjilanit
Në mungesë kuorumi, për të katërtën herë radhazi ka dështuar të mbahet seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi opozita (LDK) ka lëshuar sallën nën arsyetimin se Komuna e Gjilanit nuk ka siguruar transmetim medial siç ka qenë në të kaluaren.
Opozitës (LDK-së) nuk i ka mjaftuar transmetimi në kanalin zyrtar youtube dhe në faqen zyrtare të Komunës së Gjilanit në “Facebook”, duke theksuar se pa transmetim medial nuk mund të vazhdohen punimet. “Meqë nuk është siguruar as sot transmetimi medial, është pamundësuar puna e Kuvendit”, ka thënë shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu.
Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i Komunës, Alban Hyseni, para një pjesë të kuvendarëve (VV-PDK), ka thënë se transmetimi i seancave është duke u bërë vazhdimisht, duke e cilësuar si lojë të opozitës lëshimin e seancave.
Ai theksoi se transmetimi në faqet e Komunës po vlerësohet më pak nga opozita se sa transmetimi në portale. “Përveç kësaj (bartjes së mjeteve prej 2.5 milionë euro), ndryshimi i vetëm i bartjes së buxhetit që nga seanca e fundit kur materiali është dorëzuar me kohë, është edhe tek Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale, ku nga 30 mijë i kemi 70 mijë euro. Unë e kuptoj që ata nuk do të rrinë për të votuar, e kuptoj që kjo është vetëm lojë, mirëpo transmetimi i seancave është duke u bërë rregullisht. Komuna nuk e ka luksin të bëjë pagesë prej 600 euro për një seancë dhe konsideroj që nuk duhet të bëhet”, ka thënë Hyseni.
Pas ndërprerjes së seancës kanë folur edhe asamblisti i LV-së, Ismajl Kurteshi dhe shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Bujar Nevzati, të cilët kanë kërkuar që për hir të interesit të qytetarëve të gjendet një zgjidhje e shpejt që seancat e Kuvendit të mbahen në mënyrë të vazhdueshme.
Në fund, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, ka propozuar që javën e ardhshme të mbahet një takim mes kryetarit të Komunës dhe shefave të grupeve të Kuvendit të Komunës për ta zgjidhur këtë problem.