Sërish dhunë në Sudan
Këshilli Ushtarak i Sudanit ka paralajmëruar se nuk do të lejojë “kaos” pasi katër persona janë vrarë si pjesë e dhunës, e cila ka shpërthyer pas arritjes së marrëveshjes në mes të protestuesve dhe gjeneralëve të ushtrisë për tranzicionin politik.
Gjatë ditës së hënë janë dëgjuar të shtëna në kryeqytetin Kartum, por ende nuk është e qartë se kush e ka shkaktuar dhunën.
Një polic dhe tre protestues janë vrarë, derisa shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Këshilli Ushtarak i cili e ka marrë pushtetin, pasi ka rrëzuar nga posti presidentin, Omar al-Bashir, ka fajësuar për dhunën grupet e protestuesve të pakënaqur me marrëveshjen e tranzicionit.
Pas 30 vjetësh në pushtet presidenti, Omar al-Bashir është përmbysur dhe është arrestuar nga ana e ushtrisë gjatë muajit prill, raporton “Rel”.
Mirëpo qytetarët kanë vazhduar protestat, duke kërkuar që tranzicioni politik i pushtetit të ndodhë shpejt dhe vendi të ketë një administratë civile.
Bisedimet në mes të grupeve të protestuesve dhe Këshillit Ushtarak kanë rezultuar me një marrëveshje për tranzicionin e pushtetit e cila rregullonte detyrat dhe autoritetet e organeve ekzekutive dhe legjislative të Sudanit.