Sërish “godet” Prishtina, transferon Thaqin dhe Bekteshin
FC Prishtina pas Ahmet Halitit nga Feronikeli dhe Meriton Korenicës nga Liria, sot ka realizuar edhe dy transferime të tjera nga skuadra e Gjilanit.
Kryeqytetasit e kanë rikthyer në skuadër mbrojtësin Armend Thaqi, kurse transferimi tjetër është Leutrim Bekteshi.
“Vendosa të rikthehem për shkak kushteve të ofruara dhe normalisht pjesëmarrja në Kupat e Evropës. Prishtina ka qenë, por sidomos tash, do të jetë ekip jashtëzakonisht i mirë. Pres të vazhdoj me paraqitje të mira. Skuadra ka trajner që është i dëshmuar edhe në Kupat e Evropës dhe kuptohet së bashku për qëllim kemi që ekipi të ketë paraqitje sa më të mirë në Evropë dhe të rikthejmë titullin e kampionit, ka thënë Thaqi për faqen zyrtare të Prishtinës.
Ndërsa mbrojtësi Leotrim Bekteshi, i cili ka luajtur edhe për Besën e Pejës, ka thënë se do të jap maksimumin për fanellën “bardhekaltër” në mënyrë që të shpërblejë besimin e dhënë nga skuadra e Prishtinës. “Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshje për dy vitet e ardhshme me Prishtinën. Besoj shumë se do të arrijmë objektivat e klubit e që dihen cilat janë, gjithmonë vetëm trofetë. Jam shumë i kënaqur me kushtet e ofruara dhe premtoj që do të jap maksimumin nga vetja që të shpërblej besimin e ofruar”, ka thënë Bekteshi.