Sërish përleshje mes refugjatëve dhe policisë në kufirin greko-turk
Të tjera përleshje mes policisë dhe refugjatëve janë shënuar mëngjesin e sotëm në Evros në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.
Shtypi grek raporton se emigrantët sirianë që po përpiqen të kalojnë në Greqi, hodhën gurë e sende të forta në drejtim të forcave policore. Nga ana tjetër, policia greke u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.
Qindra mijëra refugjatë sirianë janë dyndur në kufirin grek pasi Turqia hapi kufijtë duke lejuar emigrantët të kalojnë për të shkuar drejt Greqisë.
Kufiri mes dy vendeve është rrethuar me gardh. Forca të shumta dhe barrikada policore të palës greke ndodhen në zonë, duke mos lejuar refugjatë të kalojnë në Evropë. Gardhi është përforcuar edhe me forcat zjarrfikëse.
Mediet greke kanë publikuar video duke akuzuar policinë turke në anën tjetër të kufirit, që po hedh gaz lotsjellës në anën greke të gardhit, duke shtyrë emigrantët për të avancuar drejt Greqisë.