Sermaxhaj: Feronikeli do ta bëjë historinë në Ligën e Kampionëve
Njohësi i lojës së futbollit dhe ish-reprezentuesi i Kosovës, Genc Sermaxhaj, është optimist se Feronikeli ka kualitet të mjaftueshëm për ta eliminuar The New Saintsin dhe në këtë mënyrë ta shkruajë historinë në Ligën e Kampionëve, duke u bërë skuadra e parë nga Kosova që arrin me së largu në këtë garë.
Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, e pret skuadrën nga Uellsi, The New Saints, për ta zhvilluar ndeshjen e kthimit të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri dhe analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, të dielën për “Epokën e re” ka thënë se Feronikeli i ka shanset e mira për ta shkruar historinë si skuadra e parë nga Kosova që arrin më së largu në garën e Ligës së Kampionëve. Ish-lojtari i shumë skuadrave në Kosovë beson se rezultati 2-2 e favorizon skuadrën e Kosovës për të kaluar në rrethin e dytë në garën më të fortë në futboll. “Mundësitë e Feronikelit janë shumë të mira për kualifikim tutje, sidomos me rezultatin 2-2 ndaj ekipit më të mirë uellsian. Paraqitja dhe rezultati i Feronikelit në ndeshjen e parë ka qenë mbresëlënëse dhe tash shanset e ‘Niklit’ për të ecur tutje janë rritur, por duhet shumë koncentrim, angazhim dhe gjithë energjinë duhet të shpenzohen në mënyrë racionale. Rezultati i ndeshjes së kaluar është përparësi për skuadrën tonë dhe na konvenojmë edhe dy rezultate të barabarta (0-0, 1-1), por duke e pasur parasysh se jemi mirë në aspektin psikik, pres të kalojmë pozitivisht. Besoj se Feronikeli e kalon këtë raund dhe do të bëhet ekipi i parë nga Kosova që ka kaluar më së shumti raunde në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Sermaxhaj.
Ndeshja në mes të Feronikelit dhe The New Saintsit po pritet me interesim të madh, kurse klubi nga Drenasi ka njoftuar se të hënën dalin në shitje biletat nga ora 10:00-18:00. Presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj, ka vendosur t’i dhurojë 3 000 bileta falas për të gjithë ata që duan të jenë në stadium. Këto bileta shpërndahen të martën nga ora 09:00 – 12:00 në pikat shitëse të lartcekura dhe do të jepet vetëm një biletë për person. Ndërsa çmimi i biletave për zonën veri dhe jug është 3 euro, në lindje biletat kushtojnë 5 euro, ndërsa në perëndim 10 euro. Ndërsa për zonën VIP biletat kushtojnë 15 euro.
‘Nikli’ nderon invalidët
Risi në ndeshjen që zhvillohet të martën është se invalidët e luftës çlirimtare do ta kenë hyrjen pa pagesë për ta përcjellë nga afër ndeshjen më të rëndësishme në histori të Feronikelit. “Përveç 3 000 biletave falas që do të jenë në dispozicion, klubi i Feronikelit ka marrë vendim që hyrje falas të ketë edhe për invalidët e luftës. Të gjithë invalidët që shfaqen me kartela te pikat hyrëse para ndeshjes do ta kenë hyrjen falas në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
/Veton ZYMBERI/