Sermaxhaj: Kosova duhet të mos dorëzohet ndaj Anglisë
Genc Sermaxhaj ka thënë se, pavarësisht se Anglia është një ndër kombëtaret më të forta në botë, Kosova duhet ta aplikojnë lojën e vet dhe të dëshmojë se rezultatet e gjertanishme nuk janë të rastësishme.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll arriti fitore të rëndësishme të shtunën ndaj Çekisë (2-1) në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Analisti dhe trajneri i futbollit, Genc Sermaxhaj, për “Epokën e re” ka vlerësuar se fitorja e “dardanëve” erdhi në saje të angazhimit maksimal. “Fitorja erdhi në bazë të angazhimit dhe vetëmohimit të futbollistëve tanë, që po vazhdojnë të na bëjnë krenarë me atë se çfarë po tregojnë në fushën e lojës. Taktikisht luajtëm mirë në mesfushë dhe ishim mjaft vigjilentë në shfrytëzimin e rasteve.
Kosova do të duhej që me shumë ta kontrollonte lojën, por edhe mungesat në disa çaste u vërejtën, prandaj atë që bënë lojtarët tanë ishte e mjaftueshme dhe pozitive për tri pikë shumë të rëndësishme”, ka thënë Sermaxhaj.
Ish-futbollisti i shumë skuadrave, por edhe i Përfaqësueses së Kosovës para pranimit në UEFA dhe FIFA, ka folur edhe për ndeshjen e radhës që Kosova e zhvillon më 10 shtator kundër Anglisë. Ai është shprehur i rezervuar në lidhje me suksesin e mundshëm, por ka kërkuar që futbollistët ta japin maksimumin. “Duhet të jemi me këmbë në tokë. Humbja një ditë do të vijë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm ndaj Anglisë, pasi është superfuqi e futbollit botëror. Në anën tjetër, edhe Kosova nuk duhet të dorëzohet, madje duhet të luaj njëjtë edhe ndaj anglezëve që, së paku, të dëshmohet se nuk jemi rastësisht këtu. Pres një lojë të mirë nga lojtarët e Kosovës. Pse mos t’i shkaktojmë probleme një kombëtare kaq të fortë”, ka deklaruar Sermaxhaj.
Kosova aktualisht pozicionohet në vendin e dytë në Grupin A me tetë pikë të grumbulluara, Anglia ka një pikë më shumë se “dardanët”, por edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
/Veton ZYMBERI/