Sermaxhaj: Real – Liverpool, ndeshje e paparashikueshme
Ish-futbollisti i Gjilanit, Dritës dhe Prishtinës, Genc Sermaxhaj, që tash është analist i futbollit, për “Epokën e re” e ka bërë një analizë për finalen në mes të Real Madridit dhe Liverpoolit.
Ai ka thënë se është vështirë të parashikohet një ndeshje e tillë, por se Reali e ka përparësi përvojën e madhe, derisa Liverpooli ka shpresa falë formës së mirë të Salahit dhe strategjinë e lojës që e përdorë trajneri Klopp. “Shumë kohë më parë, më 1981, Liverpooli dhe Real Madridi janë takuar mes vete në finale të Kupës së Evropës dhe kishte fituar Liverpool 1-0. Tani në Kiev të Ukrainës këto dy ekipe të mëdha kërkojnë fitoren në një ndeshje të jashtëzakonshme. Reali kërkon trofeun e trembëdhjetë, e Liverpooli të gjashtin, në një përballje gjigantësh. Reali ka përvojë më të madhe në finale të Ligës së Kampionëve dhe është ekip më i kompletuar me futbollistë superkreativë e imagjinativë, ku ka të gjitha repartet në nivel të duhur. Gjithashtu, Real prej disa muajsh kishte rezervuar forcat për këtë garë, pasi në kampionat ishte dorëzuar me kohë. Liverpooli po shpreson shumë në futbollistin e vet Salah, i cili ka qenë në formë të përkryer këtë stinor, me shënim të shumë golave, të asistimeve dhe të lojës së bukur. Po ashtu, Kloppi ka komponuar një ekip ku ka arritur të krijojë një lojë kolektive, në të cilën po krijon shumë raste shënimi, pas shumë pasimeve të shpejta dhe me kohë”, ka thënë Sermaxhaj, duke shtuar: “Do të shohim një ndeshje të shpejtë, shumë të hapur, me shumë raste shënimi. Dëshira për të fituar është maksimale dhe angazhimi do të jetë i padiskutueshëm kur bëhet fjalë për trofe të tillë. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë të futbollit dhe përgatitja para kësaj ndeshje është e vetëdijshme nga ekipet dhe futbollistët, ku përqendrimi i tyre është shumë i madh, sepse në ndeshje të tilla vendosin detajet e vogla dhe koncentrimi i tyre është i jashtëzakonshëm. Është ndeshje e paparashikueshme dhe mendoj se do të përballen dy ekipe krejtësisht të ndryshme”.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)