Sermaxhaj: Suksesi në Ligën e Kombeve, jo i rastësishëm
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur një tjetër rezultat fantastik, duke e çuar në njëmbëdhjetë numrin e ndeshjeve pa humbje. Analisti Genc Sermaxhaj për “Epokën e re” ka thënë se u dëshmua të enjten se rezultatet në Ligën e Kombeve nuk ishin të rastësishme.
Analisti i futbollit në Kosovë, Genc Sermaxhaj, për “Epokën e re” i ka bërë një analizë të hollësishme ndeshjes miqësore që Kosova e zhvilloi ndaj Danimarkës të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Sipas tij, kjo paraqitje që përfundoi baras (2-2), dëshmoi edhe një herë se rezultatet në Ligën e Kombeve nuk ishin të rastësishme. “Kosova po vazhdon formën e saj të mirë edhe me kombëtare të mëdha si është Danimarka, sepse kundërshtarët në Ligën e Kombeve ishin më të dobët. Kjo përballje ishte e mirëseardhur për ta vazhduar formën e mirë, por edhe për t’iu treguar të gjithëve se rezultatet në Ligën e Kombeve nuk kanë qenë të rastësishme. Lojtarët pa dallim në ndeshjen ndaj Danimarkës ishin në nivel të detyrës me paraqitjen dinjitoze. Edhe një herë treguan karakter dhe dëshirë të madhe për t’i mbrojtur ngjyrat e Kosovës”, ka thënë Sermaxhaj.
Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës e ka lavdëruar punën që po bën trajneri Bernard Challandes, kurse në lidhje me ndeshjen e radhës ndaj Bullgarisë, ka thënë se duhet koncentrim, për faktin se nuk është miqësore.
“Dora e gjithë këtyre ndryshimeve është trajneri Chalandes, i cili ka sjellë një mentalitet dhe mënyrë tjetër të lojës nga ajo e kaluara. Lojtarët nuk iu frikësuan mbrëmë danezëve dhe ishte Kosova që ishte me kërkuese, sidomos me depërtimet nga krahët. Lojtarët që u zëvendësuan mendoj se duhet të jenë më të koncentruar dhe të japin më shumë nga vetja. E rëndësishme ka qenë paraqitja, jo rezultati, prandaj ndeshja e radhës ka rëndësinë e vet, nuk është kontrolluese dhe mendoj se do të jetë më e vështirë se ndaj Danimarkës, sepse ndikon faktori psikik në këtë takim, kur e dimë se fitorja është në plan të parë”, ka shtuar Sermaxhaj.
I pyetur se cilat janë shanset e Kosovës për t’i mposhtur bullgarët, Sermaxhaj ka deklaruar: “Besoj se me një paraqitje të tillë sikur ndaj danezëve, do ta mposhtim Bullgarinë të cilën në asnjë mënyrë s’duhet ta nënçmojmë”.
Për rezultatin e barabartë të arritur ndaj Danimarkës foli edhe mesfushori me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, Dugagjin Gashi. Anëtari aktual i Dukagjinit të Klinës ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e përfaqësueses para pranimit në UEFA dhe FIFA. Ai ka thënë se të enjten në mbrëmje “Dardanët” i treguan botës se Kosova ka një përfaqësuese serioze. “Loja e Kosovës ka qenë fantastike dhe i kemi treguar gjithë botës se kemi një përfaqësuese shumë të fortë. Shumica e lojtarëve janë të rinj dhe kjo tregon se kemi një të ardhme të sigurt, kurse jam i bindur se në ndeshjen ndaj Bullgarisë do të korrim fitore. Personalisht e përgëzoj trajnerin për punën që po bën dhe lojtarët për shpirtin luftarak që po tregojnë në secilën ndeshje”, ka deklaruar Gashi.
Kosova ka një seri pozitive, ku në njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit nuk ka pësuar humbje, por test serioz do të ketë të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Bullgarisë. Lidhur me këtë ndeshje, trajneri Gani Sejdiu ka thënë për gazetë se do të përpiqet vetëm për fitore. “Kosova s’bën të kërkojë barazim, sidomos kur luan vendëse. Nuk besoj se barazimi është i mjaftueshëm, prandaj lojtarët duhet të luajnë me kujdes të madh. Pas suksesit në Ligën e Kombeve, jemi në një fazë tjetër dhe kemi potencial për të kërkuar më shumë. Tjetër gjë është kur luajmë ndaj Anglisë, por ndaj Bullgarisë duhet ta kërkojmë maksimumin, edhe pse është një kombëtare me traditë, por që tash është në fazën e tranzicionit”, ka thënë Sejdiu.
/Veton ZYMBERI/