“Service95”: Dua Lipa kërkon të mbahet premtimi për liberalizimin e vizave
Nuk ka të ndalur rrugëtimi i slloganit #SeMeFree – (Më çliro). Festivali Sunny Hill përmes edicionin e kaluar bëri thirrje që kosovarët të lëvizin pa viza. Këtë javë, ky sllogan është rikthyer në vëmendje nga vetë Dua Lipa. “Liri për kosovarët”, ka shkruar Lipa në “Service95”, platformën e rëndësishme për art dhe kulturë, të themeluar nga vet ajo.
Si çdo të enjte, ndjekësit e platformës “Service95” të krijuar nga ylli botëror i muzikës pop, Dua Lipa, kanë pranuar edicionin e përjavshëm. Numri i ri nis me thirrjen e Dua Lipës për liberalizimim e vizave dhe vazhdon me shkrimin e gazetares së kulturës, Suzana Vuljevic. “Liri për kosovarët”, ka shkruar Lipa në platformën e saj për art dhe kulturë, të themeluar në vitin 2021.
Lipa ka shkruar se çdo vit, gjatë verës, mundohet që të kaloj sa më shumë kohë në Kosovë.
“Ka një energji që nuk e kam parë askund, ndoshta për shkak se gjysma e popullsisë është nën moshën 27 vjeçare. Energjia është shumë evropiane, me një skenë të muzikës e artit po ashtu energjike. Megjithatë, në shumë mënyra, të rinjve kosovarë u janë prerë krahët. Kosova mbetet një nga shtetet e pakta evropiane qytetarët e të cilës kanë nevojë për viza për të udhëtuar në Evropë, si për një takim biznesi apo për pushime”, ka thënë Lipa.
Në anën tjetër, gazetarja Suzana Vuljevic ka shpalosur se çfarë nënkupton liria e lëvizjes për kosovarët dhe pse zotimi i Bashkimit Evropian që liberalizimi i vizave të bëhet në janar të vitit të ardhshëm është një premtim që duhet mbajtur.
Shkrimi me titullin “#SetMeFree: A do e kenë, më në fund, qytetarët e Kosovës lirinë e lëvizjes në vitin 2024 (#SetMeFree: Will 2024 See Kosovar Citizens Finally Granted Their Freedom Of Movement), tregon për sfidat e deritanishme të Kosovës karshi kësaj kërkesë të kamotshme.
Vuljevic ndalet të kampanja #SetMeFree që nisi Festivali “Sunny Hill”. Vitin e kaluar, Dukagjin Lipa, themeluesi i festivalit të përvitshëm të muzikës erdhi me idenë që të përdorur platformat e Festivalit për të vënë në vëmendje këtë çështje dhe për të theksuar urgjencën për liri të lëvizjes pa viza për kosovarët. Ndjekësit e festivalit mund ta gjenin kudo këtë sllogan, madje edhe të gdhendur në shiritat e tyre të dorës. Rrjetet sociale u vërshuan me “#SetMeFree”.
Sipas Vuljevic, për të rinjtë e Kosovës sllogani “Set Me Free” shpërfaq ndjenjën e pafuqisë dhe nevojën thellësisht njerëzore për të shkuar përtej kufijve të vendit të vet për të shkëmbyer ideja dhe eksperienca me bashkëmoshatarët e vendeve të tjera.
“Lajmi se liberalizimi i vizave do të ndodh në vitin 2024 është konsideruar një lajme me rëndësi të madhe. Për shumë qytetarë që mbesin në pritje, është e vështirë që të mos e shohin këtë si një premtim tjetër që nuk do të realizohet, por ka akoma shpresë”, ka shkruar Vuljevic.
E kur kjo e drejtë njerëzore të garantohet, Lipa beson se: “Evropa do të përfitojë jashtëzakonisht shumë nga kreativiteti i rinisë sonë”.
Në numrin e kësaj jave të “Service95” mund të gjeni shkrimin dedikuar 29-vjeçarit nga Venezuela, Samuel Mariño i cili po e bën të qasshme skenën e operës për një audiencë të re si dhe rubrikën “The good buys”.