Servilizmi me fuqitë e mëdha shkatërron shtetësinë e Kosovës
Shkruan: Alketa G.Fazliu
Paramendojmë dy ushtri gati për luftë. Ushtria e parë është e madhe, e ngritur prej kohësh, e armatosur fort mirë, e di ku i ka aleatët , e në krye e ka komandantin.
Ushtria e dytë është e vogël, e sapo krijuar, e armatosur pak, ka shumë aleatë por u kërkon atyre që në emër të saj të marrin vendimet që nuk i merr dot vetë. E kaq nuk është boll. Kjo ushtri është e vogël, pa armë, e dhjetëra komandantët e saj grinden me njëri-tjetrin.
Kanë 100 ditë që luftojnë por jo armikun. Luftojnë njëri-tjetrin për njëmijë ofiqet e dhjetë mijë zyrat që do të marrin kur të fitojnë luftën. Ndërsa ushtria e madhe me veç një komandant në krye e një aleat të madh nga pas përmirëson çdo ditë pozitat dhe fiton betejë pas beteje, ushtria e vogël me dhjetë-dymbëdhjetë komandantët e vet, nuk dëgjon çfarë i thotë aleati i saj i madh. Ajo shmang përpalljen dhe vazhdon të humbë luftën.
Të dashur miq, nuk duhet shumë mund për të kuptuar kush janë këta komandantë e cilat janë këto ushtri. Ushtria e parë është Serbia. Ajo po fiton.
Ushtria e dytë është Kosova. Ajo po humb.
Kosova nuk ka komandë sepse nuk gjen askënd që ta drejtojë. Nuk ka rëndësi sa video mesazhe dhe statuse hedhim në ‘Facebook’ që të sqarojmë popullin kush e ka fajin. Apo se po bëjmë çdo ditë progres drejt marrëveshjes. A thua se synimi i shenjtë është si do t’i ndajmë presidentët e ministritë. Jo. Kosova është jashtë kontrollit sepse të gjithë duan ta kontrollojnë. Kosova nuk ka shtet sepse lufta brenda saj bëhet për pushtet. Kosovën nuk ka kush e drejton pasi drejtuesit e saj duan ta kontrollojnë.
E në këtë luftë e pa lavdi, ku partitë ftojnë diplomatët në Prishtinë tu japin drejtim, e ku vetë spo dinë ku po shkojnë, Ne kemi bërë tashmë gabimin e madh.
Kosova nuk gjeti kthjelltësinë të dëgjojë aleatin e saj të madh që është shprehur shkurt e shqip: politika e Kosovës nuk është puna jonë! Puna jonë është paqja afatgjatë në rajon e kjo paqe duhet arritur tani. Qeverinë ta bëni vetë! Pa ndërhyrje të jashtme! Nuk ka shpëtim për Kosovën me qeveri pa ardhmëri, të fshehura pas ndërmjetësimit të diplomatëve! Mos u fshihni pas të huajve për atë që nuk arrini ta bëni vetë! Kur të dilni në përpalljen historike, e ajo po vjen shpejt, përgjegjësinë nuk do ta mbajnë diplomatët! Do ta keni ju!
Ushtria jonë, që është Kosova, vendi ynë, nuk e meriton disfatën. Ajo nuk mund të shkojë në betejë me ministra që luftojnë njëri-tjetrin. Ata që janë përgjegjës për atë që po ndodh sot do jenë përgjegjës për humbjen më të madhe të territorit dhe sovranitetit që do ti ndodhë këtij vendi.
E në këtë pikë shumëkush thotë – Kosovën do ta shpëtojnë Fuqitë e Mëdha. Jo. As fuqitë e Mëdha as lajkat ndaj tyre, as fshehja pas tyre. Përballë kemi Serbinë, dhe ajo nuk do shkojë askund. Gjithmonë do ta kemi përballë. Gjithmonë duke u përpjekur të përfitojë nga hasmëritë mes shqiptarësh.
Është e kotë që përballë Serbisë dhe zgjidhjes së konfliktit me të, Kosova të fshihet pas Francës, Gjermanisë, Amerikës apo Italisë. Asnjë servilizëm me Fuqitë e Mëdha nuk do ta shpëtojë Kosovën. Vendet e Kuintit nuk kanë as mandatin, as përgjegjësinë të ndërtojnë qeverinë, atë qeveri që do përballet me sfidën më të madhe që e pret Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.
Kosova qeverinë do ta ngrejë vetë. Pa lobime nëpër kryeqytete perëndimore. Pa shpifje të vogla nëpër ambasada. Kosova duhet ta kryejë punën vetë. Të dalë në fushën e betejës, e të qëndrojë e bashkuar. Veç kaq. Kaq dhe vetëm kaq është detyra e vetme dhe e madhe që këtyre politikanëve të Kosovës u është caktuar nga aleati i saj i madh.
Ishte e vetmja porosi, porosia më e qartë më e rëndësishme, dhe politikanët tanë kanë bërë gjithçka ta shkelin. Udhëtuan kudo, nga Parisi në Bruksel, nga Berlini në Uashington, dhe veç diçka kanë kryer – të kundërtën e porosisë së aleatit tonë strategjik. Nuk lobuan për Kosovën. Lobuan veq për vete.
Mjaft me mashtrimet dhe dyfytyrësinë. Dikur Kuinti quhej organizatë koloniale. Sot e quajnë shpëtim të Kosovës, ata që kanë shitur shtetin e Kosovës për të ndarë pushtetin. E kam thënë më parë e po e përsëris. Liria e Kosovës nuk është pronë e partive. Nuk ka qenë kurrë, e nuk duhet të grabitet në emër të asnjërës prej tyre.
Harrojeni se kriza e Kosovës është krizë globale dhe për të duhet të angazhohen Fuqitë e Mëdha. Kjo nuk është kriza reale. Kjo është kriza e falsitetit të pushtetarëve të vegjël që fshihen pas Quintit se spo guxojnë të zgjidhin problemin e madh.
E kemi thënë më parë, e po e përsërisim. Kosovës nuk i duhet të humbë kohë. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Ajo s’ka më kohë për të humbur, asnjë sekondë. Është koha për Kosovën ta marrë lirinë e saj.
Komandantët “legjendarë” të partive të Kosovës, bash kur duhet të zgjedhin udhëheqësin që t’i prijë përballë Serbisë janë shndërruar në do fëmijë cullakë që rendin pas ambasadorëve në Prishtinë duke u kërkuar ndihmë që ti shpëtojnë nga komplotet e njëri tjetrit. E rendin korridoreve të botës, duke kërkuar pushtetin aty ku nuk u takon. E shpresojnë se i huaji do ta mbrojë Kosovën nga të huajt.
Loja me Kosovën po i afrohet fundit. Ka ardhur koha që vet ne të mos luajmë. Erdhi koha që të ndalojmë ata që luajnë me Kosovën.
Një mënyrë ka – bashkim rreth një kauze. Nuk shkohet në betejë me ata që e provuan se synimin më të madh në jetë e kanë t’i marrin diç më shumë njëri-tjetrit. Kanë 100 ditë që na e provojnë çdo ditë se po synojnë veç këtë.
Jo. Nuk është loja me një fitues të vetëm fati që e pret Kosovën. Nëse këtu luajmë kush do ta marrë pushtetin, lojën e fiton Serbia.
Nuk ka më lojë. Nuk ka më fitues partish e parti fituese. Kosova do një qeveri të fortë uniteti. Të gjithë duhet të jenë pas saj. E unitetin e Kosovës nuk mund ta përfaqësojnë më në betejë ata që për njëqind ditë na shndërruan në humbës.
Erdhi koha që Kosova të fitojë! E ajo fiton veç e bashkuar.