Serwer: Kosova të ketë kujdes në arritjen e marrëveshjes me Serbinë
Analisti amerikan dhe eksperti i çështjeve për Ballkanin, Daniel Serwer, ka deklaruar se Kosova duhet të tregohet e kujdesshme në arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.
I njohur si kundërshtues i idesë së shkëmbimit të territoreve, profesori në Universitetin “John Hopkins” në Uashington, Daniel Serwer, ka thënë se një marrëveshje e mirë për Kosovën do të ishte ajo që ruan integritetin territorial të vendit.
“Mendoj se kosovarët duhet të jenë të kujdesshëm. Atyre do t’u bëhet presion për të arritur një rezultat para zgjedhjeve që do të zhvillojë Serbia dhe kjo nuk është në avantazh të tyre”, u shpreh Serwer në “RTSH”.
Ai foli edhe për mungesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. “Është revoltuese dhe në një farë mënyre është edhe më keq se vendimi për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hapja e negociatave nuk ka asnjë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e njerëzve ne Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa liberalizimi i vizave ka një ndikim të menjëhershëm sepse njerëzit mund të udhëtojnë”, u shpreh profesor Serwer.