Serwer: ShBA-ja ta bindë Rusinë për anëtarësimin e Kosovës në OKB
Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se administrata Biden duhet të ndihmojë Kosovën që ta sigurojë ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.
Ai ka thënë se këtë ShBA-ja duhet ta bëjë duke e bindur Rusinë për një gjë të tillë. “E para dhe kryesorja është që të vendosë qëllimet dhe strategjinë për arritjen e tyre në koordinim me BE-në. Do të duhet gjithashtu të bindë Rusinë që të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Serwer për “Klan Kosova”.
Profesori i universitetit “John Hopkins” është i mendimit që edhe Bashkimi Evropian duhet të luajë rol konkret ndaj Kosovës. “Bashkimi Evropian ka tri role: Të jetë thirrës i dialogut, të jetë siguruesi i karotave dhe shkopinjve dhe të jetë destinacioni përfundimtar për Serbinë dhe Kosovën. BE gjithashtu duhet të bashkëpunojë me SHBA-në që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu”, është shprehur Serwer.