Serwer: Vuçiçi kontrollon serbët në Kosovë përmes shërbimeve sekrete
Specialisti i fushës për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka thënë se përpjekja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të kontrolluar komunitetin serb në Kosovë bëhet kryesisht përmes forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – Lista Sërpska.
Në një ligjeratë virtuale të organizuar nga Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur “Rrethi 99” në Bosnje-Hercegovinë, eksperti amerikan ka thënë se kontrollimi i serbëve të Kosovës bëhet edhe përmes shërbimeve sekrete serbe dhe aletatëve të krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë.
“Në Kosovë, përpjekja e hapur politike e Vuçiçit për të kontrolluar popullsinë serbe bëhet përmes Listës Sërpska. Por ai gjithashtu përdor shërbimet sekrete serbe dhe aleatët e tyre në krimin e organizuar për të siguruar që popullata serbe, veçanërisht në veri, t’i qëndrojë besnike Beogradit, jo Prishtinës”, ka thënë profesori amerikan.
Këtë e ka dëshmuar edhe sulmi terrorist i paramilitarëve serbë më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit, ka pohuar ai, por kryengritja e armatosur që për qëllim parësor ka pasur aneksimin e veriut të terroritorit kosovar, ishte penguar nga Policia e Kosovës dhe Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR).
“Vuçiç që atëherë është anuar shumë në drejtim të Rusisë dhe Kinës. Ai pa dyshim ka frikë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Evropa do të kërkojnë që ai të kërkojë falje për kryengritjen e 24 shtatorit dhe të premtojë se nuk do të ndodhë më”, ka theksuar ndër të tjera profesori i njohur amerikan që për një kohë të gjatë merret me analiza të politikës së jashtme.
Ai ka veçuar edhe ngritjen e intensitetit të fushatës mediatike kundër shqiptarëve brenda Serbisë dhe përdorimin e mediave nga Vuçiçi për të mbështetur rolin e tij gjithnjë e më autokratik, derisa ka folur edhe për destruktivitetin e tij në Bosnje-Hercegovinë dhe në Mal të Zi./albanianpost