Serweri: Asociacioni të themelohet vetëm nëse përmbyllet marrëveshja me Serbinë

27 janar 2023 | 15:46

Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndonëse shteti më i ri në Evropë ende është shumë larg nga hyrja në këtë bllok, orientimin e ka të qartë: anëtarësim në të gjitha strukturat euro-atlantike.

Një synim i tillë i Kosovës mirëpritet nga shtetet perëndimore, sidomos nga përfaqësues të shumë shteteve anëtare të BE-së që haptazi theksojnë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në familjen evropiane dhe se kjo e fundit nuk është e plotë pa 6-shën.

Megjithatë, BE-ja nuk pritet t’i pranojë brenda saj shtetet të cilat ende nuk i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet mes vete, siç ka bërë me Qipron, për të cilën mosmarrëveshja ndërmjet Turqisë dhe Greqisë mbetet ende e pazgjidhur.

E për dy vendet e fundit në Ballkan që u ndanë me luftë, parakusht i BE-së për t’ua hapur dyert është normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes vete.

Tash kur ka një vëmendje të shtuar të komunitetit ndërkombëtar për ta zgjidhur këtë çështje, duket se i gjithë procesi ka ngecur tek një zotim i Kosovës që kishte bërë në Bruksel më 2013 dhe 2015 e që ka të bëjë me themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, e të cilin po heziton ta përmbushë.

“Klan Kosova” i ka dërguar pyetje analistit amerikan dhe ekspertit për Ballkan, Daniel Serwer, për të mësuar se pse është ky insistim kaq i madh i faktorit ndërkombëtar për themelimin e asociacionit dhe pse qeveria Kurti po refuzon që ta bëjë atë me kaq ngulm.

“Bashkësia ndërkombëtare e kërkon Asociacionin sepse atë e dëshiron Serbia për t’i kontrolluar komunat me shumicë serbe në mënyrë legjitime (Beogradi tashmë ka kontroll de facto mbi komunat me shumicë serbe në Kosovë)”, ka thënë Serweri.

Ditë më parë, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë në “Rubikon” të “Klan Kosovës”, ka thënë se vendi s’duhet të frikësohet nga Asociacioni, pasi, siç është shprehur ai, statutin e tij do ta bashkëshkruajë Kosova.

Edhe Serweri ka thënë se rrezikimi i funksionimit të shtetit të Kosovës do të varet nga mandati dhe funksionet që do t’i jepen asociacionit.

“Kurti po e refuzon atë sepse e sheh si kërcënim për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Nëse Asociacioni pengon funksionimin normal të shtetit të Kosovës kjo do të varet nga mandati dhe funksionimi i tij”, ka thënë analisti amerikan.

Serweri ka thënë se nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovën dhe vendos marrëdhënie diplomatike dhe fqinjësore me të, “Asociacioni do të ishte më pak i rrezikshëm”.

“Nuk do të doja ta shihja [Asociacionin] të përdorej për ta trasuar rrugën për dialog me Serbinë – vetëm për ta përmbyllur një marrëveshje finale me të”, ka thënë Serweri.

Në këtë linjë është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka këmbëngulur se Asociacioni nuk duhet të jetë në qendër të marrëveshjes me Serbinë, por në qendër duhet të jetë njohja reciproke.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Endri Çekiçi si rrallë herë ka folur për karrierën e…