Serweri: Bideni favorizoi Serbinë, ashtu do të bëjë edhe Trumpi
Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi politika në favor të Serbisë. Kështu shkruan profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, në një analizë për administratën që po largohet dhe për atë që po vjen.
Në një intervistë për A2 CNN, eksperti shpreh zhgënjim të thellë për faktin se si Biden, ashtu edhe Antony Blinken, Derek Chollet dhe Christopher Hill, që e njihnin shumë mirë Ballkanin Perëndimor dhe vuajtjet e Kosovës, vendosën të zbatonin një politikë të Amerikë pro Beogradit.
“Në pjesën më të madhe të Administratës Biden, Gabriel Escobar, ish-zëvendës Shefi i Misionit në Beograd, udhëhoqi politikat e shtetit në Ballkan. Ai shndërroi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në prioritetin e tij kryesor. Kjo i dha Beogradit atë që dëshironte më së shumti, ndërsa Prishtinës asgjë. Kjo nuk do të funksiononte kurrë dhe ashtu rezultoi”, tha Daniel Serwer.
Profesori shton se njerëzit e Bidenit u anuan edhe më shumë drejt Serbisë duke mos thënë asgjë të dobishme kur u rrëmbyen dy policë të Kosovës brenda territorit të saj.
“Kur Vuçiç dërgoi njerëz të dhunshëm për të sulmuar paqeruajtësit e NATO-s, Uashingtoni foli shumë pak. Kur Serbia organizoi sulmin terrorist në Kosovë, ata nuk bënë asgjë”, tha Daniel Serwer.
Profesori amerikan analizon se nuk pret që administrata e dytë e Trump të bëjë diçka ndryshe, pasi pret që së pari të vendosë si prioritet projektet ekonomike të dhëndrit, Jared Kushner, në Shqipëri dhe Serbi.
“Ju mund të prisni që Trump të mos bëjë asgjë që rrezikon projektet e Kushner me paratë saudite. Kjo do të thotë se do të vazhdojë të anohet edhe më shumë drejt Beogradit dhe larg Prishtinës, megjithatë jo larg Tiranës. Shqipëria dhe Serbia pajtohen në shumë gjëra, përfshirë nevojën që liderët e tyre të qëndrojnë në pushtet pa një opozitë serioze.”, u shpreh ai.
Serwer thekson se ledhatimi ndaj Beogradit do të vazhdojë, ndërsa parashikon një përkeqësim të situatës nëse Uashingtoni i rikthehet ideve për ndarjen e Kosovës në vija etnike. (A2 Televizion)