Serweri, Daçiqit: ShBA-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës
Analisti dhe eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se spekulimet rreth ndarjes së Kosovës nuk kanë tërhequr shumë vëmendjen në Uashington.
Ai ka paralajmëruar se ndryshimi eventual i kufijve të Kosovës do të hapte kutinë e “pandorës” në Ballkanin Perëndimor, si dhe disa vende të tjera në botë.
Serweri i ka thënë televizionit serb “N1” se nëse Serbia dhe Kosova duan të jenë shtete demokratike dhe anëtare të BE-së, nuk sheh arsye se pse komunitetet pakicë nuk do të qëndronin aty ku janë, në kufijtë ekzistues.
“Ndryshimi i kufijve do të çonte në destabilizim në Maqedoni dhe Bonje e Hercegovinë, por edhe në pjesë të tjera të botës, për shembull në Ukrainë dhe Gjeorgji. ShBA-ja dhe BE-ja kanë një qëndrim të mirë për çështjen e ndryshimit të kufijve, për integritetin e shteteve dhe për mos ndryshimin e kufijve”, ka thënë Serweri.
Duke komentuar deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, se administrata e re në Uashington ndryshuar qëndrimin ndaj Serbisë dhe Kosovës, Serweri ka thënë se ai nuk mendon se ka ndonjë ndryshim dhe se Uashingtoni dëgjon si Beogradin ashtu edhe Prishtinën.