Serweri e cilëson ‘të gabuar’ raportin e amerikanëve: Duhet ta kemi të qartë se agresori në veri të Kosovës është Serbia
Daniel Serwer, specialist në fushën për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, duke komentuar raportin e inteligjencës amerikane të publikuar të hënën mbi mundësinë e përshkallëzimit të dhunës në rajon, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës, konsideroi se ky vlerësim është i gabuar.
Në raportin e inteligjencës amerikane gjendet një referencë e shkurtër mbi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë ndaj trupave të Forcës së NATO-s në vend (KFOR) në fund të majit të vitit të kaluar në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, duke alarmuar se përgjatë vitit mund të pritet edhe një skenar i ngjashëm sikurse në vitin 2023.
“Kjo është e gabuar. Një incident ishte një sulm serb ndaj trupave të NATO-s. Në një incident të veçantë, policia e Kosovës ndaloi suksesshëm një komplot serb që synonte të ofronte një justifikim për avancim ushtarak të Serbisë në Kosovë. Ekziston një agresor në veri të Kosovës. Duhet ta kemi të qartë se kush”, ka shkruar Serwer në një koment në platformën “X”.
Në raportin e përvjetshëm të vlerësimit të kërcënimeve globale të sigurisë, komuniteti i inteligjencës amerikane paralajmëron ngritje të nivelit të rrezikut nga përshkallëzimi i mëtejmë i dhunës në Ballkanin Perëndimor përgjatë vitit 2024, derisa përmenden tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në pjesën veriore të Kosovës që karakterizuan rajonin edhe gjatë vitit 2023.
Gjithashtu, ndonëse nuk përmendet drejtpërdrejtë, sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar dhe u plagosën dy të tjerë, përfshirë tre nga anëtarët e grupit paramilitar serb, gjënë gjithashtu referencë në raportin e inteligjencës amerikane mbi vlerësimin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2024.
“Ballkani Perëndimor – ndoshta – do të përballet me një rrezik të ngritur të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024. Përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare kanë çuar në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s në vitin 2023”, është thënë në raport, duke veçuar përpjekjet e Rusisë për t’i shtuar tensionet.
“Liderët nacionalistë ka të ngjarë të përkeqësojnë tensionin për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) ose në institucionet euroatlantike”, është thënë në këtë raport.
Ndryshe, në vazhdimësi paralajmërohet se perspektiva e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës nuk mund të izolohet; derisa u krijohet mundësia lojtarëve lokalë serbë të lidhur me interesat ruse të zgjerojnë hijen kërcënuese dhe të provokojnë konflikte ndëretnike, tani rreziku i ri-përshkallëzimit rri i varur mbi mbarë Ballkanin Perëndimor të ngjeshur nga tensionet.